Lajmi që Rama i ka premtuar Zaevit një port ekskluzivisht maqedonas në Durrës, është përcjellë me një konotacion të lehtë “skandali”, e paartikuluar qartësisht nga dhënësit e lajmit, media gjithëçfarëshe, që vërtet janë befasuar nga deklarimet euforike të kryeministrit maqedonas, prej së cilit ka buruar dhe ky fakt, i paditur deri më sot, shkruajnë portale në Tiranë.

Në të tilla raste, gjykime sipërfaqsore të çojnë drejt një penalizimi të kryeministrit si “tradhëtar”, por nuk ka arsye të jetë kështu. Sigurisht, do të duhen dhe sqarime të vetë Ramës, për të kuptuar se si përkthehet ky projekt prej tij. Por me gjasë, e gjitha ka të bëjë me një zgjedhje pragmatike, me interesa hem ekonomike e hem kombëtare, e që lidhen me Rrugën e Arbrit.

Kur dibranët shfaqin afshin e tyre për këtë rrugë, sigurisht që nuk i bien lapsit. Vërtet, Rruga e Arbrit nxjerr dibranët nga izolimi, por gjykuar me numër banorësh që dalin nga ky izolim, kostoja e rrugës është një çmenduri më vete. Pra, me laps, është një gropë buxheti vështirë e rikuperueshme për raportet ndërnjerëzore e ndërekonomike Dibër – Tiranë. Aq më tepër që nuk është rrugë me pagesë, ku sido-sido, një ditë do shlyhet nga vetë qarkulluesit.

Dhe nëse rruga do e ketë pikën fundore në Dibër, më saktë deri në Peshkopi, pa shkuar më tej, me saktë jashtë kufijve në Maqedoni, në terma ekonomikë prej tani e dështuar nga mungesa e rentabilitetit të shtrirë në kohë. Ndaj është kërkuar që dhe pala maqedonase të nisë një zgjatim të saj nga Dibra e Madhe drejt Shkupit, për ta bërë sa më integruese edhe në planin rajonal.

Por politika maqedonase nuk e ka parë të udhës që t’i futet një investimi të tillë, pasi i mjafton Qafë – Thana për të mbërritur në Durrës. Dhe ka mundësi që një port maqedonas në Durrës, të jetë një konçension i Ramës për Zaevin, që ky i fundit t’i bashkangjitet Rrugës së Arbrit. Sepse vetëm atëherë, si nga pikëpamja e interesit ekonomik ashtu dhe tij kombëtar – një pjesë e kombit ndodhet në Maqedoninë perëndimore – Rruga e Arbrit do qe vërtet e tillë. Sepse thjesht nuk do qe vetëm për dibranët këndej kufirit, por dhe për ata tej, për shqiptarët e Pollogut – Tetovë e Gostivar – për ata të Shkupit e deri tutje deri në Kumanovë.

P.S. Rruga e Kombit, sa është shqiptare është po aq dhe serbe. Nëpërmjet saj, pas mbërritjes deri në Merdare, ajo është dhe pikëlidhja serbe me detin, Durrësin, për të cilët aq shumë ka luftuar pa mundur t’i marrë. Dhe kjo jo domosdoshmërisht përkthehet si “tradhëti kombëtare”; përkundrazi, është integrim, dhe integrim do të thotë zhvillim.