Kuvend, miratohen në lexim të tretë ligjet e pa dekretuara nga Ivanov

Kuvendi miratoi leximin e tretë të ligjeve të cilat nuk u dekretuan nga presidenti Gjorgje Ivanov. Ligji për Agjencinë Teknike Operative, Ligji për komunikime elektronike, Ligji për tatim mbi vlerën e shtuar dhe Ligji për qasje deri tek informacionet me karakter publik u miratuan me shumicë votash.

Marketing

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi mbylli seancën e sotme në pikën e 12 duke mos vënë në votim të tretë Ligjin për marrëdhënie pune, Ligjin për dokumente elektronike dhe Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi. Për seancën e sotme ishte ftuar edhe presidenti Ivanov, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjes së kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi.

I pari i ligjvënësit në brifingun e fundit me gazetarët shpjegoi se Kuvendi shqyrton mundësinë që ligjet e mos dekretuara nga Ivanov të vendosen në votim edhe gjatë fushatës presidenciale, pasi as Rregullorja dhe as Kushtetuta nuk kufizon punën e ligjvënësit derisa vijon fushata. Jo zyrtarisht shumica parlamentare nuk përjashton mundësinë që praktikën e njëjtë Ivanov ta zbatojë deri në fund të mandatit, gjë që lë hapësirë të kuptohet se një pjesë e ligjeve të sapo miratuara, e për të cilat nevojitet firma e Ivanovit, do të kthehen në lexim të tretë pas zgjedhjeve presidenciale.

Ligjet e mos dekretuara i pret fati i Ligjit mbi përdorimin e gjuhëve i cili po ashtu nuk u firmos nga Ivanov. Pas leximit të tretë i njëjti u dërgua në gazetën zyrtare, duke hyrë në fuqi pa firmën e kryetarit të shtetit. Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, pas leximit të tretë, obligon kreun e shtetit të nënshkruaj dekretin e ligjit të cilin e ka kthyer pas leximit të dytë. Gjatë leximit të tretë amendamente mund të parashtrohen vetëm për nenet për të cilët kanë ndryshuar pas leximit të parë.

Marketing