Kuvendi do të përgatitet edhe për mënyra alternative për mbajtjen e seancave

Kuvendi punon në kërkim të mënyrës alternative për mbajtjen e seancave në kushte të jashtëzakonshme, gjegjësisht seanca onlajn dhe votim lidhur me pandeminë me Kovid-19, gjendje e cila sipas vlerësimeve të fundit do të zgjasë edhe në dy vitet e ardhshme.

Marketing

Kryetari i Kuvendit, Talat XHaferi në brifingun me gazetarët theksoi se për konfirmimin e mënyrës së tillë alternative të punës do të nevojiten dy deri në tre muaj dhe tani për tani seancat do të mbahen në sallën me kupolë, ndërsa votat do të numërohen me dorë.

“Si kryetar i Kuvendit jam i obliguar të mendoj për funksionalitetin e Kuvendit edhe në situata të rregullta edhe në gjendje të jashtëzakonshme dhe prandaj në takimet e para në koordinim e dhashë idenë për mendim lidhur me mundësitë alternative për punën e Kuvendit. Për fat të keq, ajo ide shfrytëzohet që të rrotullohet si tentim i shumicës, kryetari të shmang punën e rregullt të Kuvendit dhe me këtë të përmbushet mungesa e kuorumit të mundshëm dhe me këtë faktikisht nga shtëpia të mund të punojnë deputetët. Jo, jo kjo nuk është ideja”, potencoi Xhaferi.

Ideja bazë, sipas tij, është që Kuvendi të punojë në kushte normale siç është përshkruar, por fakt është se në tre dekada nuk kemi punë të përshkruar të institucionit dhe funksionim të institucionit në kushte të jashtëzakonshme.

“Pandemia na tregoi se është e nevojshme të merret parasysh edhe mundësia alternative për punë në kushte të tilla. Sot është pandemia, nesër mund të jetë një arsye tjetër për punë alternative të Kuvendit, pasnesër mund të ketë një arsye të tretë – mund të jetë zjarr, mund të jetë tërmet, mund të jetë nuk e di se çka, e cila do të shkaktojë gjendje të jashtëzakonshme dhe në rrethana të tilla të jashtëzakonshme si do të punojë Kuvendi, ku do të punojë Kuvendi. Prandaj them se alternativë për funksionalitetin e institucionit, për institucionin, për qytetarët të kemi, e jo assesi siç tentojnë këtë ta transmetojnë dhe ta prezantojnë si tentim të shumicës që të përmbushet mospasja e kuorumit të mundshëm”, potencoi Xhaferi.

Për të hënën në mesditë do të caktojë seancë në të cilën në rend dite do të jetë zgjedhja e përbërjes së trupave të punës së Parlamentit, ndërsa pastaj verifikimi i mandatit të deputetit në vendin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska.

Në Kuvend deri më tani kanë arritur propozimet ligjore të Qeverisë për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe pesë vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Marketing