Kuvendi shpalli konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Anti-korrupsionit

Pas pothuajse një viti pa Komision anti-korrupsion, më të fund filloi procedura për zgjedhjen e përbërjes së re. Afatet për formimin e Komisionit janë të shkurta, pasi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, paralajmëroi se zgjedhjet presidenciale do t’i shpallë më 8 shkurt.

Marketing

Konkursi do të zgjasë 7 ditë, pas çka një Komision special do t’i selektojë kandidatët që i plotësojnë kushtet sipas Ligjit të ri për antikorrupsion, i cili u votua javën e kaluar në Kuvend me shumicë prej 2/3. Pas “filtrit” të parë, përzgjedhja e anëtarëve të rinj do të bëhet me intervista publike të cilat do të transmetohet në televizion.

Intervistën do ta realizojnë përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Konferenca Ndër-Universitare, pastaj Organizatat Joqeveritare, Shoqatat dhe Fondacionet që merren me luftën kundër korrupsionit.

Ligji i ri për parandalimin e korrupsionit ka kritere më të ashpra për zgjedhjen e anëtarëve, ata nuk duhet të jenë anëtarë të ndonjë partie politike dhe të mos jenë donatorë të ndonjë partie politike në 10 vitet e fundit. Gjithashtu, anëtarët e rinj duhet të kenë gjashtë vjet përvojë pune në sferën e luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të së drejtës.

Ligji i ri u jep më shumë autorizime anëtarëve të Anti-korrupsionit. Parashihet që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në llogaritë bankare të funksionarëve, llogaritë e partive polikë dhe të kenë kontrolle në mbi 60 data baza. Lëndët që do të hapë ky komision, Ligji i ri parasheh afate për mbarimin e tyre, me qëllim që të mos stërzgjaten.

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit nuk funksionon pothuajse një vit pas dorëheqjeve të pesë anëtarëve, për të cilët ekzistonin dyshime për shpenzime fiktive për transport dhe për shpenzim joligjor të parave nga buxheti.