Ky është kandidati i BDI-së i cili do garojë për kryetar të Dibrës

Në garën për kryetar të Komunës së Dibrës, Bashkimi Demokratik për Integrim, në zgjedhjet e parakohshme lokale, më 21 prill, do të marrë pjesë me mjekun Hekuran Duka, urolog i njohur, i cili është ushtrues aktual i detyrës së kryetarit të komunës.

Marketing

Vendim unanim për këtë mbrëmë solli Kryesia e degës së BDI-së për Dibër, në të cilën për kryetar të Shtabit zgjedhor të degës e zgjodhi Artin Spahiun.

Dr. Hekuran Duka është i lindur në vitin 1963 në Dibër, i martuar, baba i tre fëmijëve. Shkollën e mesme e përfundoi në qytetin e lindjes, diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku përfundoi specializimin në urologji. Është i punësuar në Spitalin e përgjithshëm në Dibër prej vitit 1994.
Në zgjedhjet e fundit lokale, në vitin 2017 ishte pjesë e listës së kandidatëve të BDI-së dhe u zgjodh këshilltar në Këshillin e komunës.

Kjo është kandidatura e dytë zyrtare për kryetar të Komunës së Dibrës, ku zgjedhjet po mbahen për shkak të vdekjes së kryetarit të mëparshëm, Ruzhdi Lata.

Paraprakisht Aleanca për shqiptarët e kumtoi kandidatin e vet, dr. Arben Agolli, pediatër i njohur dibran. Agollit mbështetje i dha edhe Lëvizja BESA.

Dr. Agolli është i lindur në Dibër, në vitin 1959, i martuar, baba i dy fëmijëve. Arsimin e mesëm e kreu në Dibër, diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa specializoi pediatrinë në Shkup. Në profesion ka stazh 34-vjeçar, prej të cilave, 20 vite si pediatër. Prej vitit 2004 punon si pediatër amë.

Marketing