Ky është rrëfimi i ish ushtarit të UÇK-së, që i mbijetoi plagëve në fyt

Invalidi i UÇK-së, Ahmet Gjaka, i cili në luftë ishte plagosur nga një granatë në fyt dhe kishte përfunduar në koma, ka treguar detaje se si ka mbijetuar. Ai ka treguar edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë luftës në sigurimin e armëve.

Marketing

Gjaka gjatë luftimeve në Zonën Operative të Shalës, ishte plagosur nga një granatë në fyt ku si pasojë pati gjakderdhje të rëndë.

“Unë 5 minuta kam pas vetëdije më pas kam ra në koma. Siç më kanë treguar, mjekët kishin menduar se kam vdekur, kanë thënë se nuk mundemi me e operu Gjakën pasi nuk ka shenja jete dhe më kanë lënë jashtë..”, ka thënë Gjaka.

Ai ka theksuar se operacionin e tij e kishin kryer doktorët Fadil Beka dhe Bajram Rexhepi.

Gjaka ka thënë se së bashku me shumë ushtarë të tjerë kanë ecur 180 orë për të marrë armë në Shqipëri.

“Gjatë muajit korrik 1998 ne jemi nis 1200 ushtarë nga gjitha zonat dhe kemi shku në Shqipëri për të furnizuar me armë në këmbë. Kemi has në prit e në zona të minuara ku na u kanë vra edhe shokë. Në Tropojë jemi armatosur dhe kemi bërë 180 orë ecje në këmbë për tu kthyer sërish në Zonën e Shalës”, ka thënë Gjaka në emisionin ‘Dhoma e Rrëfimit’, e transmetuar në T7.

Tutje, ai ka treguar se menjëherë pas lufte ka qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës ku ka shërbyer nëntë vite, ndërsa aktualisht është pjesë e FSK-së.

Rrëfimin e plotë të ish ushtarit të UÇK-së mund ta ndiqni KËTU

Marketing