Ky është sqarimi i BFI-së për keqkuptimet lidhur me letrën dërguar Qeverisë

Siç është i njoftuar opinioni, para disa ditësh Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut (më tej: BFI) iu drejtua Qeverisë së RMV përmes një letre në të cilën qartë e shpreh pakënaqësinë e vet nga mënyra se si trajtohet institucioni i vetëm në vend që përkujdeset për zhvillimin e jetës fetare të besimtarëve myslimanë.

Marketing

Në fakt, BFI në letrën e vet e përkujton Qeverinë aktuale të RMV se vërejtjet dhe pakënaqësitë e saj, të cilat në mënyrë të vazhdueshme po i shpreh një kohë të gjatë, pa marrë parasysh përbërjen politike të qeverive të cilat e udhëheqin vendin, mbeten të njëjtat.

Po theksojmë se kjo nuk është hera e parë që ne po i drejtohemi Qeverisë së Kryeministrit Zaev, që do të thotë se edhe Kryeministri, edhe anëtarët e Qeverisë së tij, janë të njoftuar me problemet të cilat BFI po insiston t’i zgjidhë. Mjerisht, edhe sot, kur po bëhen dy vjet nga formimi i Qeverisë aktuale, BFI nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, e lëre më realizim të ndonjë kërkese.

Pakënaqësitë tona nuk janë të trilluara, nuk janë artificiale dhe nuk janë fryt i ndonjë komploti me qëllim të “shantazhimit” të kujtdo qoftë, e më së paku të Qeverisë. E kundërta, pakënaqësia jonë buron nga jogatishmëria të zgjidhen problemet të cilat janë esenciale për funksionimin e BFI.
Po, është e vërtetë që ne po ndihemi të diskriminuar në mënyrë drastike nga realizimi i procesit të denacionalizimit, përmes të cilit ne nuk arritëm të rikthejmë as pjesën më të vogël të pronave tona për të cilat jemi të obliguar të përkujdesemi përpara Zotit dhe besimtarëve myslimanë e të cilat na takojnë edhe me ligjet e RMV. Ato prona janë vakëfe dhe janë lënë si amanet nga gjenerata të ndryshme myslimanësh që të shfrytëzohen për qëllime shumë fisnike, siç janë funksionimi dhe organizimi më i suksesshëm i jetës fetare, si edhe ndihma për institucionet arsimore në suaza të BFI.

Pengesat në të cilat ne po hasim tani e tri dekada, në përpjekjet tona që besimtarëve myslimanë t’ua kthejmë atë që iu takon, jo rrallëherë në të kaluarën kishin motive nacionaliste, jotolerante, diskriminuese dhe islamofobe. Premtimet boshe se do të zgjidhen problemet, të cilat të gjithë po shohim se nuk po zgjidhen, e kaluan kufirin e durimit tonë.

BFI është thellësisht e ofenduar nga kualifikimi se letra të cilën e kemi dërguar qenka një “shantazh”, andaj po themi:
Jo zotërinj, të tjerë janë ata që shantazhojnë; në kodin tonë të sjelljes nuk frymojnë shantazhi dhe kërcënimi. Ne orientohemi nga rregullat e shenjta islame dhe përpiqemi të kultivojmë dialogun dhe tolerancën, bashkëjetesën dhe respektimin e ligjit dhe të drejtësisë; ne po përpiqemi dhe në vazhdimësi po dëshmojmë se jemi ithtarë të progresit të këtij vendi dhe të njerëzve që jetojnë këtu.

Tekefundit, opinioni e di mirë se cila ishte Bashkësia Fetare që në këtë shtet u angazhua më shumë dhe në mënyrë më të sinqertë për jetësimin e vlerave euro-atlantike, kush apelonte në vazhdimësi te pjesëtarët e vet që të respektohet dhe kultivohen bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, kush reagonte ndaj çdo lloji të dhunës dhe ekstremizmit që do të mund të përfshinte edhe Maqedoninë.

Dhe, pikërisht për shkak të qëndrimit tonë dashamirës ndaj shtetit dhe ndaj stabilitetit të tij, ndaj zhvillimit të demokracisë, pikërisht për shkak të angazhimit tonë në drejtim të qetësimit të tensioneve dhe të tejkalimit të mosmarrëveshjeve, ne jemi të obliguar të informojmë pjesëtarët e Islamit se përpjekjet tona të përbashkëta në drejtim të eliminimit të padrejtësive shumëvjeçare, mjerisht, nuk po japin fryt.
Qëndrimi i këtillë i BFI nuk do të duhej të konsiderohet shantazh, sepse ai, në fakt, është thirrje për tejkalim të problemeve të grumbulluara ndër vite. Ne, të ballafaquar padrejtësisht me një sërë problemesh, mendojmë se:

– Përvetësimi i pronës së huaj paraqet grabitje!
– Qëndrimi selektiv ndaj Bashkësive Fetare, kur është në pyetje kthimi i pronave të nacionalizuara dhe të dhuruarit e objekteve dhe trojeve atraktive Bashkësive të caktuara Fetare, është diskriminim!

Po i përkujtojmë me këtë rast problemet e Jeni-Xhamisë në Manastir, si edhe situatën në f. Llazhec, ku qe 100 vjet nuk lejohet ndërtimi i xhamisë, ani pse fshati është multinacional dhe multikonfesional, me numër të barabartë myslimanësh dhe të krishterësh dhe në fshat funksionojnë dy kisha.

Për rastin e Llazhecit, mes tjerash, është informuar edhe Organizata e KB, e cila dërgoi një zyrtar të vetë për të inspektuar situatën dhe e cila rekomandoi që problemi gjithsesi të tejkalohet. Po ashtu, po përkujtojmë se BFI, jo fort moti, në Ohër i humbi pa kurrfarë kompensimi dy xhami të vjetra – atë të Imaretit dhe atë të Haxhi Kasamit, të cilat u rrënuan në mënyrën më vandale, me dinamit.

Në Ohër, për momentin ekziston vetëm Xhamia e Ali Pashës, por edhe rikonstruktimi i saj po has në probleme të paimagjinueshme. Problem të theksuar ka edhe Xhamia e Hysamedin Pashës në Shtip, e cila i është shitur eparkisë së KOM-it nga ana e Ministrisë së Financave, me ç’rast kishte përpjekje që Xhamia të shndërrohet në kishë. Të gjitha këto ne po i përjetojmë si tregues të qartë të islamofobisë!

Dhe, po. Ne jemi tërësisht të vetëdijshëm se Maqedonia është shtet shekullar dhe, andaj, po sillemi sipas parimeve të një shteti të tillë. Por, po theksojmë se, ta zëmë, ndihma financiare e shtetit ndaj Bashkësive Fetare nuk e dëmton fare shekullarizmin dhe një rregull i këtillë ekziston në shumë shtete të Ballkanit dhe të Evropës, ani pse edhe ato janë shtete shekullare. Duket se në atë drejtim Maqedonia është model i një shekullarizmi të veçantë.

Por, sidoqoftë, ne s’duam dhe s’ kërkojmë nga shteti, të cilin e ndjejmë si shtet tonin, asgjë më shumë nga ato që ua mundëson të tjerëve, por edhe nuk pranojmë asgjë më pak. Nëse esenca e shekullarizmit qenkan barazia dhe drejtësia, me theks të veçantë mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, ne e kërkojmë atë barazi dhe atë drejtësi. Dhe, kërkojmë respektin që e meritojmë, kërkojmë balancë, kërkojmë rregulla dhe nuk duam të ulim kokën përpara padrejtësive.

A quhet shantazh një gjë e këtillë?!
Jemi të bindur që jo dhe dëshmi për këtë është toleranca, miqësia, dialogu dhe bashkëjetesa që mbeten parim dhe angazhim i ynë.

Rrjedhimisht, BFI u apelon organeve shtetërore gjegjëse që të nisim një dialog konstruktiv, efektiv dhe të sinqertë, pa premtime boshe. Apelojmë që menjëherë, pa e zgjatur, të heqim drynin nga problemet e grumbulluara.

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun

Marketing