Kosova pritet që t’i japë fund aventurës në grupe në Ligën e Kombeve këtë muaj, derisa ka për të luajtur edhe dy ndeshje, kundër Maltës dhe ndaj Azerbajxhanit.

E ky grup i lojtarëve që ka në përbërje talentë kosovarë që luajnë në pothuajse të gjitha ligat kryesore në Europë mund të bëj historinë duke fituar vendin e parë dhe duke ja siguruar Kosovës një vend të sigurt për në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, pse jo duke fituar edhe finalen dhe kualifikuar në Euro 2020.

Faqja në Twitter “Kosovan Football” ka bërë një infografikë me hartë të shtrirjes së lojtarëve të Kosovës në mbarë kontinentin e Europës, ku ka shtruar pyetjen se a do ta shkruajnë ata historinë?

Po kush janë grupi i lojtarëve te Kombëtares së Kosovës të cilët synojnë që ta fitojnë Grupin 3 të Ligës së Kombeve.
Në portë kemi Samir Ujkanin, i cili luan në Çaykur Rizespor dhe që është edhe kapiteni i Kosovës dhe lojtari me më përvojë në Kombëtaren e Kosovës. Pas tij është Arjanet Muriçi, përforcimi i fundit që vjen nga portieri rezervë i kampionit të Anglisë, Manchester City. Tek portierët i ftuar është edhe talenti i IPKO Superligës së Kosovës, Visar Bekaj, numri 1 i Prishtinës.

Mbrojtja, tepër stabile prihet nga shtylla e mbrojtjes së Dinamo Zagrebit, Amir Rrahmani dhe gardiani i pa kompromis Fidan Aliti i KF Skënderbeut. Këtu nuk bën të harrojmë edhe gjigantin e FC Zurich, 21 vjeçarin Mirlind Kryeziu, i cili u ftua nga Challandes për këtë ndeshje. Në krahun e djathtë kemi të palodhshmin Mergim Vojvoda, i cili ka treguar ndeshje të mira me Muscornin në Belgjikë, por alternativë e tij është Leart Paçarada që luan për Sandhausen në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Alo i majtë është padyshim, njëri prej lojtarëve më të mirë të Kosovës dhe të Raifaisen SuperLigës së Zvicrës, Benjamin Kololli, i cili mund të luaj edhe si mesfushorë i majtë. Kujtojmë se Paçarada është zëvendësues edhe i Kolollit në rast të një lëndimi të tij.

Mbrojtës tjetër i Kosovës është Arbenit Xhemajli, nga Xamax, i cili pos pozitës në qendër të mbrojtjes luan edhe si mesfushorë defensivë.

Edhe në mesfushë Kosova ka lojtarë cilësorë që dinë të bëjnë pasime të thella në fazën e tretë të sulmit, ta dirigjojnë lojën, por të rrezikshëm edhe me goditje nga larg. Padyshim, më i miri në mesfushën e Kosovës është mesfushori i Lazios, Valon Berisha. Lojtari i mungoi Kosovës në ndeshjet e para, por tani është kthyer nga lëndimi dhe kontributi i tij u pa që në ndeshjen e parë kundër Maltës në shtëpi ku ai asistoi në golin e parë.