Largimi i shtetasve shqiptarë drejt Greqisë shkakton kaos në pikën kufitare Kakavijë

Largimi i qytetarëve shqiptarë drejt pikës kufitare Kakavijë në Qarkun e Gjirokastrës për të kaluar në Greqi ka shkaktuar probleme dhe kaos pas disa kufizimeve dhe proceduarve mjekësore që ka vendosur shteti grek për shkak të pandemisë COVID-19.

Marketing

Për shkak të përkeqësimit të situatës dhe gjendjes shëndetësore të disa personave, janë angazhuar edhe ekipet mjekësore, forcat e policisë dhe ushtrisë së Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.

Autokolona e automjeteve është disa kilometra, ku qytetarët shqiptarë me leje qëndrimi në shtetin grek, por edhe kategori të tjera personash janë në pritje të procedurave për të kaluar kufirin, ndërsa kjo situatë ka sjellë edhe reagimin e zyrtarëve të Shqipërisë.

Kaosi në trafik dhe procedura është shkaktuar pas lëvizjes së një numri të madh shtetasish shqiptarë me qëllim për të kaluar kufirin dhe për shkak të procedurave mbi kontrollet shëndetësore që janë vendosur nga autoritet greke.

Qarku i Gjirokastrës në jug të vendit është vizituar nga ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ndërkohë që sipas njoftimit të kësaj ministrie, janë angazhuar autoambulancat e Forcave të Armatosura në mbështetje të ekipeve të urgjencës mjekësore për t’iu ardhur në ndihme qytetarëve të bllokuar.

Reagime nga zyrtarët e Shqipërisë

Në lidhje me këtë situatë kanë reaguar zyrtarë të lartë të vendit, mes tyre edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili në rrjetet sociale shkruan: “Thellësisht i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë të cilët vijojnë të jenë të bllokuar prej shumë orësh në pikën kufitare të Kakavijës, duke u ekspozuar seriozisht para rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19.”

Meta i ka bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, sipas tij, “për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit.”

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një reagim në rrjetet sociale shkruan se procedurat e reja të testimit për COVID-19 në kufirin shqiptaro-grek kanë krijuar radhë të gjata bashkë me problemet e pashmangshme shoqëruese.

“Në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme po bëhen përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi”, ka shkruar Lleshaj.

Ndërkohë, në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksohet se “janë në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës.”

Sipas autoriteteve shqiptare, vendimi i autoriteteve greke për të kërkuar vetëizolim 7-ditor dhe certifikatë të testit negativ për COVID-19 për të gjithë shtetasit që kalojnë nga Shqipëria në Greqi duke nisur nga data 17 gusht, gjatë dy ditëve të fundit ka shkaktuar një fluks të shtuar qytetarësh në pikat e kalimit kufitar.

Marketing