Lazim Destani sjell donacionin e radhës për familjet në nevojë

Filantropi Lazim Destani, si gjithmonë edhe këtë vit, u del në ndihmë familjeve në nevojë, sidomos në këtë periudhë kur Covid-19 e ka rënduar akoma më shumë situatën. Menjëherë pas dhurimit të mijëra pajisjeve teknologjike për nxënësit, Lazim Destani përmes biznesit të familjes së tij, vjen me donacionin e radhës duke i ndihmuar këto familje me artikuj ushqimorë dhe higjienik.
Në ambientet e kompanisë Ecolog u dorëzuan mijëra kuponë që do t’u shpërndahen familjeve në nevojë. Kompania ua dorëzoi kuponët personave të autorizuar për shpërndarjen e tyre tek familjet në nevojë në rajonin e Tetovës dhe në komunat përreth. Përmes këtyre letrave me vlerë familjet me gjendje më të rënduar sociale do të furnizohen me artikuj ushqimorë dhe higjienik.
“Në këtë periudhë pandemie, solidarizimi me familjet në nevojë është detyrim i gjithkujt që e ka këtë mundësi. Prandaj, me këtë rast po e theksoj, se përmes këtij postimi dua t’i jap një impuls të ri ftesës drejtuar bizneseve, kudo qofshin ato, që të jenë sa më pranë këtyre familjeve pasi në këto momente të vështira, shpresa e tyre jemi ne. Realizimi i ndihmave duke blerë produkte vendore është ndihmë gjithashtu edhe për prodhuesit dhe ekonominë e vendit”, shkruan Lazim Destani në postimin e tij në Facebook.
Lazim Destani për dekada me radhë e për çdo vit e ka treguar zemërgjerësinë e familjes së tij duke mos e harruar kurrë këtë kategori shoqërore. Këtë mbështetje ai ua ka dhënë familjeve në nevojë zakonisht gjatë muajit të Ramazanit. Sivjet, pandemia e shkaktuar nga Covid-19, jo vetëm që ua ka vështirësuar gjendjen por edhe e ka rritur shumë numrin e familjeve në nevojë. Në këto rrethana, në këtë periudhë të vështirë pandemie, ndihma ndaj këtyre familjeve është shumë domethënëse.

Marketing

Marketing