LDK ende në kërkim të votave për rrëzimin e Qeverisë

E refuzuan ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për protestë kundër Qeverisë aktuale, duke deklaruar se nuk mendojnë që janë konsumuar rrugët institucionale për rrëzimin e Qeverisë. Andaj Lidhja Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Kryesisë, thanë se janë në përgatitje të një mocioni votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë.
Nga deklaratat e dhëna më parë, LDK ka thënë se kjo është ftesë publike për të gjitha partitë në vend, apo edhe individët që nuk janë të kënaqur nga kjo qeverisje e tanishme.

Marketing

“Në momentin që gjithçka është gati dhe i sigurojmë votat, ne do iu drejtohemi edhe me ftesë zyrtare partive”, kështu u tha nga LDK për lajmi.net, qëndrim që u përsërit edhe sot nga Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri.

“Opinioni e di tashmë se ne po mundohemi me i bashkërendit disa veprime tona si subjekti politik opozitar ma i madhi në vend, por edhe si subjekt më i madhi në përgjithësi. Në këtë rast përpos angazhimeve që i kemi në Kuvend rreth rezolutës, normalisht edhe veprimet tjera jashtë Kuvendit, në koordinim me subjektet tjera opozitare, ne tashmë i kemi nënshkrimet, po flas për LDK-në dhe sa e di votat i kemi edhe prej VV-së dhe PSD-së. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, në mënyrë që t’i kemi edhe 4 – 5 votat që të gjithë e dinë që po na mungojnë që të arrihet 61 votshi”, tha ai.

Beqiri duke mos dhënë emra konkret se me kënd po bisedohet, tha se janë në kontakt edhe me partitë brenda koalicionit, pasi që sipas tij, koalicioni është jofunksional dhe ka probleme brenda.

“Unë sot s’mund të them me cilët po flasim, por jemi duke u munduar të bëjmë kontakte edhe me ata që janë në koalicion. Sigurisht shihet, nuk ka nevojë me qenë i mençur për me pa se ka probleme të mëdha edhe brenda koalicionit, sepse është një koalicion s’po them i panatyrshëm, se ndoshta është shumë i natyrshëm por jofunksional, shumë i brishtë, shumë fragjil, i cili nuk është në gjendje të marrë kurrfarë vendimi. Telashet që i kanë brenda janë evidente”, tha ai.

Beqiri u shpreh se shpreson në reflektimin subjekteve që janë në koalicion në sigurimin e votave për mocion.

“Ne po shpresojmë se do të reflektojë ndonjëri prej subjekteve, ose deputet të ndonjë prej subjekteve që janë në koalicion qeverisës në mënyrë që t’i sigurojmë këto vota. Po them edhe njëherë se janë çështje që sot s’mund t’i them por kontaktet ekzistojnë dhe mbetet të shihet në një te ardhme. Nuk mund të them me ditë e me javë, nëse i arrijmë ato vota ne mund ta bëjmë menjëherë, por na duhet edhe pak kohë po konsultohemi në mënyrë që kur të shkojmë me mocion te ketë sukses për të mirën e vendit, dhe unë e vlerësoj se kjo punë është një ndër prioritet që i kemi, plus punët tjera që i bëjmë qoftë në Kuvend por edhe jashtë tij, me një qëllim te vetmin që sa më shpejtë te rrëzohet kjo Qeveri, të shkojmë në zgjedhje të reja, dhe pastaj ta kemi një Qeveri që është shumë më stabile e jo si kjo që e kemi aktualisht”, tha ai.

Zëdhënësja e PSD-së Natyra Kuçi tha se kjo parti e përkrahë mocionin dhe se shefi i Grupit Parlamentar, Dardan Sejdiu ka bërë dorëzimin e nënshkrimeve.

“Ne jemi deklaruar dhe kemi pasur veprime konkrete karshi dy çështjeve; edhe për rrëzimin e qeverisë, edhe për dialogun. Sa i përket mocionit për rrëzim të qeverisë, ne jemi i vetmi subjekt opozitar që i kemi dhënë nënshkrimet. Por duhet kuptuar se mundësi serioze për rrëzimin e qeverisë është vetëm opozita e bashkuar me strategji të përbashkët, e kjo nuk bëhet pa Partinë Socialdemokrate. Kurse, për dialogun ne kemi propozuar rezolutë, e cila kërkon që ky proces ta ketë bartës Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përmes saj kemi kërkuar dakordim të forcave politike fillimisht për një Platformë Shtetërore që duhet të votohet me 2/3 e Kuvendit, e më pas edhe ekipi negociator të votohet po më shumicë të kualifikuar”, tha ajo.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Ismajl Kurteshi tha se janë për zgjedhje të reja dhe se do të përkrahet çdo iniciativë për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne jemi të njoftuar për këtë iniciativë, jemi deklaruar me kohë se jemi për zgjedhje te reja si VV, dhe kushdo që merr iniciativa për të shkuar në zgjedhje të reja e përkrahim, por sipas të gjitha gjasave ende nuk kemi filluar me mbledhjen e nënshkrimeve”, tha ai.

Kurse Bilall Sherifi nga Nisma tha se nuk kanë marrë ftesë dhe se një qëndrim të tillë duhet ta marrë Kryesia e partisë.

“Jo Nisma nuk ka marrë një ftesë të tillë. Qëndrimin për këtë çështje duhet ta marrë Kryesia e partisë”, tha ai./Lajmi.net

Marketing