LDK publikon ofertën që ia bëri VV-së, kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i Glauk Konjufcës

LDK sot i ka dorëzuar me shkrim ofertë Vetëvendosjes.Oferta është e njëjtë me atë të propozuar në takimin e datës 8 janar të vitit 2020, shkruan lajmi.net.

Marketing

Avdullah Hoti i LDK-së, e ka bërë publike ofertën e LDK-së të kësaj date.

Në këtë formë, LDK-ja kërkon kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, pastaj në momentin e zgjedhjes së tij, posti i kryeparlamentarit do t’i kthehej VV-së.

Po ashtu, pjesë e propozimit është që numri i ministrive të jetë 12, pra të mos rritet.

Postimi i plotë i Avdullah Hotit:

Sot kemi dorëzuar me shkrim ofertën tonë për bashkëqeverisje me VV-në, të propozuar në takimin e datës 8 janar 2020.

Në këtë takim, dhe në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani, LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për qeverisje të përbashkët në interes të shtetit të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019. Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet siguron stabilitet qeverisës për mandat të plotë prej katër vitesh. Kjo marrëveshje duhet finalizuar sa më parë në mënyrë që të fillojmë zbatimin e programit qeverisës të dakorduar nga dy ekipet tona, që mundëson reforma të thella ekonomike, sociale, të sundimit të ligjit dhe të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.

Propozimet tona, të dorëzuara sot me shkrim, janë si vijon:

LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

Si rezultat i kësaj marrëveshje:
a. Deri në zgjedhjen e Presidentit:
• VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
b. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:
• VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.

Marketing