Le Roa: Marrëveshja e Prespës mundësoi të bëheni anëtare e NATO-s në vitin 2019, shpresoj së shpejti edhe e BE-së

Vendimet e guximshme që janë marrë nga liderët e vendit dhe Marrëveshja e Prespës i mundësuan Maqedonisë që të bëhet anëtare e NATO-s më 2019-ën, ndërsa shpresojë edhe e BE-së së shpejti, shprehet në bisedën e shkurtër për MIA-n ambasadori francez Alen Le Roa, i cili me ftesë të Fondacionit “Boris Trajkovski” ishte i pranishëm në panel-diskutimin me rastin e 15 vjetorit të vdekjes tragjike të Presidentit që u mbajt këtë javë në Shkup.

Marketing

Mund të them një gjë – në vitin 2001 mund të shpërthente një luftë e tmerrshme civile, por duke iu falënderuar liderëve si Boris Trajkovski, lufta e tillë ishte evituar. Humbën jetën më pak se 100 njerëz. Nëse bëni krahasim me vendet fqinje, Maqedonia bëri një arritje të madhe që arriti të tejkalojë krizën me më pak se qindra të vrarë dhe duke iu falënderuar liderëve, në mesin e të cilëve edhe Boris Trajkovski. Kjo periudhë mund të krahasohet me situatat sot dhe jam i kënaqur që në vend ka liderë që marrin vendime të guximshme me të cilat i mundësohet Maqedonisë, që duke iu falënderuar Marrëveshjes së Prespës, të bëhet anëtare e NATO-s në vitin 2019, ndërsa shpresojmë edhe të BE-së së shpejti, shprehet Le Roa i pyetur se si e vlerëson situatën sot në vend nga perspektiva e vitit 2001.

Ambasadori Le Roa vlen si mik i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut. E ka përfaqësuar Bashkimin Evropian gjatë njërës prej periudhave më kritike për vendin tonë, duke ardhur në vendin e Fransoa Leotarit në tetor të vitit 2001. Ai konsiderohet si njohës i madh i situatave në rajon. Në ngjarjet e organizuara me rastin e përvjetorit nga vdekja e Presidentit Trajkovski, e përfaqësonte kryeministrin francez Eduar Filip.

Le Roa është edhe anëtar i Grupit “Ohër” të formuar në vitin 2018, qëllimi i të cilit është që të ndihmojë integrimin tonë në Aleancën. Lider i këtij grupi joformal është ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson, ndërsa e përbëjnë personalitete me ndikim të cilat në të kaluarën kanë qenë në poste të rëndësishme në organizata ndërkombëtare ose në pozicione të larta në shërbimet shtetërore të lojtarëve të mëdhenj botëror në diplomacinë.
Për herë të fundit ishte në Maqedoni para katër muajve, para referendumit.

Më dërguan nga Qeveria franceze si shenjë e mbështetjes për referendumin dhe për ta mbështetur Marrëveshjen e Prespës, meqë Qeveria franceze e mbështetë fuqishëm marrëveshjen, shprehet diplomati i regjur francez.
Lidhur me ratifikim nga Franca e protokollit për anëtarësim të vendit tonë në NATO, nuk ka njohuri për datën se kur do të ndodhë kjo.

Nuk e di nëse ka datë konkrete se kur do të ishte ratifikuar protokolli për NATO. Shpresoj se do të jetë në muajt në vijim, por do të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha anëtareve deri në fund të këtij viti, shprehet Le Roa.
Për procesin e evrointegrimit dhe nëse zgjerimi mund të jetë i penguar nga insistimet e disa vendeve anëtare të BE-së për nevojën që fillimisht të zbatohen reforma të brendshme, Le Roa bën të ditur rëndësinë e reformave në Bashkim, por edhe në vend.

Unë konsideroj se gjithë kjo do të vendoset në qershor dhe pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian. Shpresojmë se do të ketë reforma edhe në kuadër të BE-së edhe në Maqedoni.
Vendimi do të merret në qershor dhe unë nuk mund të parashikoj se si do të jetë vendimi, bën të ditur Le Roa.
I pyetur se ku do të jetë vendi pas një viti, ai nuk ka dilemë për arritjen e anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO deri në fund të vitit, por është i përmbajtur për bisedimet me BE-në.

Deri në fund të këtij viti, Maqedonia do të jetë anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe shpresojmë se ndërkohë vendi do të fillojë bisedime me BE-në. Edhe për këtë nuk mund të parashikoj asgjë. Për këtë duhet të vendosë Këshilli i BE-së në qershor, shprehet ambasadori francez Alen Le Roa.

Marketing