Legalizimi i përdorimit të kanabisit mund të ketë përfitime ekonomike për qytetarët, për bujqit dhe për shtetin. Bujqit nga kanabisi mund të prodhojnë ushqim për bagëti, biodizel, peleta dhe ilaçe, derisa shteti nga tatimimi i kanabisit për qëllime mjekësore mund të gjenerojë mjete të konsiderueshme.

Kjo është biseduar në debatin publik në temën “Përfitimet ekonomike dhe shëndetësore nga legalizimi i kanabisit” që u mbajt javën e kaluar në kuadër të Komisionit parlamentar për çështje ekonomike në Kuvend dhe në të cilin morën pjesë deputetë, avokatë, profesorë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit civil.

Legalizimi i kanabisit mund të sjellë qindra miliona euro
Konopët, që nuk përmbajnë THC-materie, duhet t’u lejohet bujqve që ta mbjellin dhe t’ua shesin operatorëve, të cilët prej tij mund të ekstraktojnë vajin CBD. Sipas zgjidhjeve të tanishme ligjore, në Maqedoni është më më lehtë të mbjellësh afion sesa konop, derisa shteti, nga ana tjetër, ende jep subvencione për mbjelljen e duhanit. Bujqit nga kanabisi mund të prodhojnë ushqim për bagëti, biodizel, peleta dhe ilaçe.

Sipas Filip Sekullovskit nga OJQ “Bivium”, legalizimi ka potencial të madh ekonomik dhe mund të ndihmojë shumë në përmirësimin e pasqyrës ekonomike dhe sociale në Maqedoni.
“Me ndryshimet e ligjit të vitit 2016 Maqedonia mund të lëvdohet me 16 kompani që punojnë ose janë në fazën përgatitore. Potenciali i këtij sektori në kushte të rregullativës së miratuar mirë në periudhë afatmesme, për rreth katër deri tetë vjet, do të mund të arrinte shifrën prej qindra milionë euro”, tha Sekullovski.

Sipas Emilija Kotevska, e cila jeton dhe punon në Poloni, si interniste dhe neurologe, me lejimin e marihuanës nga dhjetori i vitit 2018 Polonia ka nevojë nga një tonë marihuanë në muaj.

“Miliona pacientë të këtij shteti 43 milionësh presin për kurimin që Qeveria e Polonisë e lejoi. Mendoj se kjo është një sfidë e Maqedonisë. Tetë kilogramë që mbërritën përmes një kompanie kanadeze në Poloni u shpenzuan në afat prej një jave, pra nuk ka nevojë të flas se çfarë është nevoja”, tha Kotevska.

Kotevska është nënkryetare e Odës Ekonomike Ballkanike-Polake dhe njëra prej të parëve që kanë nxjerrë leje për kultivimin e marihuanës mjekësore në vendin tonë.

“Unë e mbolla vitin e kaluar dhe kuptova se bëra shumë gabime. Ai që prodhon marihuanë mjekësore duhet doemos t’i respektojë të gjitha kushtet si në fabrikë të ilaçeve. Prandaj sot kemi shumë marihuanë të prodhuar në Maqedoni, të gjitha ndërmarrjet kanë arritur të prodhojnë, por askush nuk ka shitur. Askush prej tyre nuk ka nxjerrë nga Maqedonia një kilogram vaj ose materie të thatë”, shprehet Kotevska.

Konsideron se është shumë vështirë që produkti i Maqedonisë të shitet në Evropë, dhe se shteti tani duhet doemos të përgatisë ligjet për ISO dhe praktikë të mirë të kultivimit (GMP) nëse dëshiron të realizojë përfitim nga kanabisi.
“Sot një hektar i mbjellë me marihuanë jep po aq celulozë sa edhe katër hektarë pyll. Marihuana rritet tre muaj, pylli rritet 20 vite. Shumë industri mund të zhvillohen gjatë prodhimit të konopit. Mendoj se kjo është e ardhmja e Maqedonisë. Duhet pasur cilësi. Evropa kërkon cilësi, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për mollë, domate ose marihuanë”, shprehet Kotevska.

Nevojitet lehtësim në tregun për produkte me bazë të kanabisit
Gjoshe Stefkov, profesor i Fakultetit Farmaceutik dhe udhëheqës i Institutit për Farmakognozi, i cili merret me bimë shëruese, thekson se në faqen e Malmed agjencisë për ilaçe është ngjitur doracaku për GMP, dhe se fakulteti tashmë ka leje nga Ministria për një projekt shkencor trevjeçar të hulumtimit në fushën e kanabisit.

“Në fakultetin tonë kemi laboratori e cila është me leje dhe tashmë filloi të bëjë analizë të preparateve që ne në kuadër të projektit i udhëheqim si të panjohura, për të parë se çfarë ka brenda”, deklaroi Stefkovi.
Bën të ditur se momentalisht vetëm tregu i CBD-së është i etabluar edhe në Evropë edhe në botë, derisa tregu i THC-së ka shumë spekulime.

“Kur bëhet fjalë për CBD, kemi bursë. Kemi 8.500 euro, dihet saktësisht procesi prodhues dhe ky është një treg i etabluar. Nuk e kam të qartë pse të gjithë që hyjnë në këtë treg menjëherë fillojnë me llojet e THC-së, e nuk i kushtojnë vëmendje CBD-së”, shprehet Stefkovi.

Lidhur me lehtësimin e lëshimit të tregut të preparateve në bazë të kanabisit, bëri të ditur se nuk duhet të përdoret ilaç, por preparat, meqë në asnjë vend evropian, përveç disa preparateve që quhen ilaçe dhe për të cilat ka studime klinike, gjithçka tjetër ka definicion më ndryshe, që është propozuar të vendoset në ligjin për ilaçe.

“Nuk bëhet fjalë për ilaç, por për produkt në bazë të kanabisit për përdorim mjekësor te njerëzit. Më tutje vijon se është preparat ose ndonjë lloj tjetër i produktit që përmban kanabis, rrëshirë kanabis, kanabinoidë ose derivate dhe përdoret për përdorim mjekësor për parandalim, lehtësim ose paraqet përbërësin bazë për prodhimin e ilaçit”, thekson Stevkovi.

Kanabisi ndihmon në revitalizimin e tokës
Profesoresha Silvana Manasievska-Simiq nga Fakulteti i Bujqësisë në Shkup shprehet se, përveçse për prodhimtari industriale të pëlhurës, tekstilit dhe për bojëra dhe llak, kanabisi mund të përdoret nga aspekti ekologjik.

“Plastika na mbytë. Vetë plastika shumë vështirë zbërthehet derisa, për dallim prej saj, konopi, i cili është një prej kulturave të anashkaluara, është i zbërthyeshëm në aspektin biologjik. Një gjë është të bëni material me litar dhe pëlhurë prej diçkaje që është bimë dhe e zbërthyeshme në aspektin biologjik, sesa ta bëni këtë nga plastika”, shprehet Simiq.

Tregon se bashkë me profesorët Tatijana Mitkova dhe Mile Markovski merr pjesë në një projekt që ka të bëjë me fitorimedijacionin, gjegjësisht ndotjen e tokave.

“Në Veles, ku janë të pranishme metale të rënda, kemi projekt që e punojmë me OKTA-n, ku punojmë me derivate të naftës, ndërsa mund të jenë edhe elemente kimike, siç janë lindanati, etj. Ka hulumtime se mund të përdoret kanabisi edhe për fitorimedijacion. Pra, për pastrimin e tokës nga metalet e tilla të rënda, për shkak të krijimit të masës së fortë të rrënjëve, që i nxjerrë nga toka pikërisht këto polutante, dhe mund ta pastrojë vetë tokën”, deklaroi Simiq.

Lidhur me aspektin mjekësor, theksoi se gjatë ligjërimit me ekspertë nga Kroacia është bërë e ditur se marihuana ka 600 herë më shumë antioksidantë sesa borovnica.

Legalizimi i marihuanës për menaxhimin më efektiv të resurseve policore
Deputeti Pavle Bogoevski nga aspekti kriminalistik theksoi se shtetet që e kanë ndryshuar politikën e tyre në raport me kanabisin nga aspekti i dekriminalizimit menjëherë shënojnë menaxhim më efektiv të resurseve policore.

“Konsideroj se politika ndëshkuese shtetërore duhet të jetë e ndryshuar ndaj përdorimit të marihuanës. Duhet të parashikohet një sasi e caktuar e marihuanës që do të konsiderohet si sasi për një përdorim dhe nëse nuk është e paketuar në paketa më të vogla të dedikuara për shitje me pakicë, të mos konsiderohet si bazë për përcaktimin e qëllimit të shpërndarjes dhe tregtimit me këtë kanabis”, tha Bogoevski.

Nëse flasim për legalizim, që është një hap më tutje nga dekriminalizimi i kanabisit, mund të them se shtetet që e kanë bërë këtë menjëherë shënojnë të ardhura të mëdha plotësuese në buxhetin e tyre.

“Të ardhura që më tutje i përdorin në ngritjen e vetëdijes publike. Shkojnë në drejtim të pajisjes plotësuese të stacioneve policore dhe të prokurorive publike. Marihuana e legalizuar i bën institucionet e ndjekjes më efektive, më efikase dhe më të pajisura për t’u përballur me forma të vërteta të rrezikshme të tregtisë me drogë dhe substanca psikotrope”, theksoi Bogoevski.

Shteti federal amerikan Miçigen, për shembull, e taksoi kanabisin rekreativ me 10 për qind dhe në vitin 2017 gjeneroi 737,9 milionë dollarë, mjete këto që janë të mjaftueshme ta mbushin katër vjet buxhetin e të gjitha stacioneve policore në këtë shtet.

evn