Lehtësohet marrja e shtetësisë gjermane

Të premten, Gjermania do të fillojë zbatimin e dy dekreteve, që do ta bëjnë më të lehtë marrjen e shtetësisë gjermane, kryesisht për hebrenjtë të cilët ikën nga regjimi nazist, për shkak të persekutimit, si dhe pasardhësve të tyre, njoftoi ministria e Brendshme.

Masa pason një fushatë nga pasardhësit e refugjatëve nga Gjermania naziste, të cilët janë të zemëruar që kërkesat e tyre për shtetësi janë refuzuar, pavarësisht nga garancitë kushtetuese.

Referendumi i Brexit-it (daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja) shkaktoi një rritje të aplikacioneve nga pasardhësit e atyre që nga Gjermania ikën në Britani, midis viteve 1933-1945.

“Gjermania duhet të përmbushë përgjegjësitë e saja historike”, tha ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, duke shtuar se ai dëshironte të ndihmonte personat, prindërit ose gjyshërit e të cilëve u detyruan të ikin nga Gjermania.
Dekretet e reja lehtësojnë kushtet e nevojshme për marrjen e shtetësisë, për shembull duke lejuar që individët me një nënë gjermane dhe baba të huaj të rifitojnë shtetësinë e tyre, mirëpo duke dëshmuar se ata kanë lindur para vitit 1953.