Të paktën 12 persona janë lënduar në një shpërthim që ka ndarë në dysh të paktën dy ndërtesa kolektive në Vjenë, pasi raportohet se shkaktarë mund të jetë rrjedhja e gazit.

Disa kate të ndërtesës janë shembur, ku shihet në video një gropë e madhe e hapur në katër katet e para të ndërtesës, transmeton Telegrafi.

Policia e Vjenës ka njoftuar se të paktën dy persona janë lënduar rëndë, derisa 10 tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta trupore.

Nuk dihet saktë nëse janë shkatërruar një apo dy ndërtesa, pasi që e tërë lagjja është mbuluar nga re të pluhurit pas shpërthimit të fuqishëm.

“Dukej sikur ka shpërthyer një bombë që e ka shkatërruar murin dhe fasadën e ndërtesës”, ka deklaruar zëdhënësi i zjarrfikësve.