Lengle: Maqedonia gëzon mbështetjen e Ushtrisë amerikane

Maqedonia ka mbështetjen e plotë të ushtrisë amerikane sa i përket integrimit të saj në NATO.

Marketing

Kështu deklaroi gjenerali, Xhozef Lengiel, shef i Byrosë së gardës kombëtare të ShBA-ve pas takimit me ministren e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në Shkup. Lengiel vlerësoi lart operacionet e përbashkëta me ushtrinë e Maqedonisë, sidomos në Afganistan.

“Ne jemi shumë falënderues për kontributin tuaj të vlefshëm si një partner i ardhshëm në NATO. Me kënaqësi presim momentin ta përshëndesim vendin tuaj si anëtarja më e re e NATO-s. Ne mirëpresim miratimin e amendamenteve kushtetuese nga ana e Kuvendit tuaj të cilat janë të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të Maqedonisë në përputhje me Marrëveshjen e Prespës”,- deklaroi shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të ShBA-së, Xhozef Lengiel.

Vizitën e gjeneralit Lenigel, ministrja Shekerinska e vlerëson si vizitë në kohë të shkëlqyer, duke shtuar se në takim, mes tjerash, është biseduar për mënyrat e avancimit të bashkëpunimit me Gardën kombëtare. Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia ka treguar sinjal të qartë se është pro politikave perëndimore, andaj, sipas saj, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është çështje javësh.

“Sot kur Maqedonia e kreu detyrimin e saj, mundemi të themi se me të vërtetë na ndajnë disa javë nga ulja në karrigen e NATO-s, të cilën ky shtet aq gjatë e dëshiron. Për atë them se koha ishte e shkëlqyer sot të bisedojmë për atë se si këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Shekerinska përkujtoi se 5.000 anëtarë të ARM-së u përfshinë në aktivitete të përbashkëta me Ushtrinë amerikane. Këtë vit në Maqedoni mbi një mijë ushtarë nga Brigada 56 e Pensilvanisë do të bëjnë trajnim të përbashkët me trupat e Brigadës së parë të mekanizuar të ARM-së.

Marketing