Letra që dëshmon organizimin e serbëve për inskenimin e katastrofës humanitare në veri

Tash e disa kohë, nëpër media dhe opinion është në fokus një katastrofë humanitare e mundshme në veri të Kosovës.

Sipas zyrtarëve serbë, një gjë e tillë po ndodhë pas vendosjes së taksës nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve me prejardhje nga Serbia, shkruan lajmi.net.

Si rrjedhojë, sipas versionit të tyre, raftet e ushqimeve dhe barnave kanë mbetur të zbrazëta në veri, dhe popullata po rrezikon të përballet me një të ashtuquajtur katastrofë humanitare.

Marketing

Por krejt këto prentendime, po quhen të planifikuara nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës theksoi se katastrofa humanitare në veri, është një skenar i cili është planifikuar më herët.

Ai tha se institucionet e Kosovës janë në dijeni për një plan të tillë, dhe se sipas tij do të veprojnë shpejtë për ta dekonspiruar të njëjtin.

 

 

Versioni i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës ndryshon nga ai i serbëve dhe mediave atje.

Media lokale të veriut raportojnë se gjatë ditës së sotme i kanë vizituar disa nga barnatoret dhe bizneset në atë pjesë.

Sipas asaj që ata raportojnë nga terreni, në raftet e marketeve mungojnë produkte si mishi, vaji, sheqeri e mielli.

Por, shenja edhe më të mëdha se një plan i tillë është vetëm inskenim nga organet serbe, mund të jetë fakti se biznismenët e veriut, u kanë dërguar një letër tregtarëve, nga ku u kanë bërë thirrje të mos e marrin, blejnë apo transportojnë asnjë produkt nga pjesa jugore e Kosovës.

Letra e biznesmenëve serbë.

Përkthimi: Duke pasur parasysh situatën në veri të Kosovës dhe Metohinë, si dhe rreziqet që biznesmenët i ekspozohen çdo ditë, përfshirë presionet, arrestimet konfiskimet e kamionëve me mallra, ne iu bëjmë thirrje që të veprojmë të bashkuar. Në shenjë proteste për taksën e vendosur, si dhe pamundësisë që të importojmë mallra serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë, u bëjmë thirrje të gjithë ndërmarrësve që mos të marrin mallra nga pjesa jugore e provincës në asnjë çmim, dhe me këtë tregojmë se jemi të bashkuar.

Sidoqoftë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj po thotë se i di me emra se kush qëndron prapra gjithë këtij plani.

Kryeministri përmes një postimi në Facebook gjatë javës së kaluar, hidhte gishtin tek personat në fjalë, Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq dhe Radulle Steviq.

 

 

Një skenar i tillë është mohuar krejtësisht nga ministria e Shëndetësisë.

Ata për lajmi.net kanë thënë se në pjesën veriore të vendit nuk janë mbyllur barnatoret dhe as që ka mungesë të barnave.

Më tutje, ata kanë shtuar se në pjesën veriore të Kosovës gjenden dy depo të licencuara farmaceutike të cilat operojnë sipas ligjeve të Kosovës ku qytetarët mund të furnizohen me barna.

Gjithashtu, burime të lajmi.net kanë treguar se në Kosovë nga rreth 3700 produkte të barnave të regjistruara në Kosovë, vetëm 3 ose 4 për qind janë produkte nga Serbia ose nga qindra prodhues të cilët i kanë të regjistruara barnat e tyre në Kosovë vetëm tre janë nga Serbia, dhe nga ata tre dy janë kompani ndërkombëtare (Stada – Gjermani dhe Actavis Islandë). /Lajmi.net/

Marketing