Lëvizja Besa e vetme në zgjedhje, Sela dhe Gashi pritet ta finalizojnë marrëveshjen për koalicion?

Sinjale negative për koalicionin trepalësh mes Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe Alternativës.

Marketing

Zyrtarisht partitë nuk konfirmojnë asgjë, por ato që thuhen në rrugë jozyrtare janë të qarta.

Duke qenë se Alternativa në asnjë mënyrë nuk pranon që Lëvizja Besa të jetë pjesë e koalicionit, Aleanca për Shqiptarët në këtë rast do të duhet të zgjedhë vetëm njërën për të vazhduar në koalicion dysh drejt zgjedhjeve.

Burime nga Alternativa i thanë TV21 se marrëveshja mes tyre dhe ASH-së është drejt finalizimit. Shtojnë se fundjavën që lamë pas ka pasur takim mes komisioneve partiake, ndërsa ditëve në vijim pritet që të ketë edhe takim mes Selës dhe Gashit për të finalizuar koalicionin.

“Ne besojmë se koalicioni Alternativa-ASH është punë që parimisht është kryer dhe ka mbetur çështje dite kur të zyrtarizohet. Besojmë se brenda disa ditëve do të publikohet marrëveshja”, thonë për TV21 burime partiake nga Alternativa.

Kjo gjë me sa duket po bëhet e qartë edhe për Lëvizjen Besa. Burime nga kjo parti jozyrtarisht i thanë TV21 se Besa me shumë gjasa do të dalë e vetme në zgjedhje.

“Sipas rrethanave që janë krijuar dhe asaj që shihet në publik Lëvizja Besa me shumë gjasë do të dalë vetë në zgjedhje. Edhe përkundër refuzimit të Alternativës, takimet ASH-Alternativa kanë qenë më të shpeshta se ASH-BESA”, thanë jozyrtarisht për TV21 burime nga Lëvizja Besa.

Nga Aleanca për Shqiptarët as nuk i konfirmojnë e as nuk i hedhin poshtë këto informacione.

Shkurt, Elmi Aziri nga kjo parti na tha se ASH “vazhdon të besojë dhe përpiqet që koalicioni trepalësh do të ndodhë”.

Nisma për koalicion trepalësh është iniciuar nga ASH-ja, por Alternativa nuk dëshiron që pjesë e të njëjtit të jetë Lëvizja Besa, për shkak se siç thonë, brenda Besës ka persona me të cilët asnjë organ i Alternativës nuk do të pajtohej të ulej në tavolinë koalicionimi.

Marketing