Ndarja mes Liam Payne dhe Cheryl Cole ishte një nga të papriturat në showbiz. Ndonëse dyshja janë prindër të një djali 4-vjeçar të quajtur, Bear, ata nuk arritën ta shpëtonin marrëdhënien e tyre. Pas ndarjes raporti mes Liam dhe Cheryl dukej i tensionuar, po tashmë çdo gjë është sheshuar. Madje Liam i ka habitur të gjithë teksa ka treguar se është më i afërt se kurrë me ish-partneren e tij.

Në një intervistë për “Glamour”, ai është shprehur se bashkë-prindërimi me Cheryl po shkon më së miri dhe se ata kalojnë shumë orë duke folur me njëri-tjetrin në celular.

“Cheryl është realisht personi më i mirë për bashkë-prindërim. Nuk ka stres. Ndjehemi shumë mirë dhe ne kalojmë shumë kohë duke komunikuar në FaceTime. Dhe ka qenë shumë e adhurueshme dhe unë jam më i afërt me ta se kurrë më parë. Koha e kaluar në FaceTime shkon shumë mirë gjithmonë. Ose dje i bleva disa lodra dhe ja tregova dhe në ato momente doja shumë që të fluturoja drejt tij dhe t’ja jepja lodrat”, ka thënë Liam.

Ai ka shtuar se ky vit ka qenë shumë i vështirë për shkak të pandemisë, megjithatë e ka ndihmuar të afrohet më shumë me ish-partneren. Nga ana tjetër kujtojmë se Liam është i fejuar që nga vera e vitit të shkuar me të dashurën e tij miliardere, Maya Henry. Ata u fejuan pas 2 vitesh lidhje dhe Liam i propozoi të dashurës me një unazë diamanti që kushtoi 3 milionë paund.