Liderë aktual dhe të mëparshëm të vendeve nga Ballkani Perëndimor të njëzëshëm se Maqedonia e Veriut e meriton fillimin e negociatave me BE-në dhe se çdo vendim tjetër do të jetë shumë negativ për rajonin, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp.

“Në pyetjen për të ardhmen e Ballkanit, kam përgjigje pozitive: Ballkani po lëvizë në drejtim të mirë, e ai është drejtimi që çon drejt BE-së dhe NATO-s, Ballkani është pjesë përbërëse e Evropës dhe e ndërron imazhin e fuçisë së baroti, në vendin ku gjenerohen krizat politike, tha, mes tjerash, kryeministri Zoran Zaev në debatin me temë ‘Ardhmëria e integrimeve euroatlantike: Ku po shkon Ballkani Perëndimor’ në organizim të Qendrës ndërkombëtare “Nizami Ganxhavi” në Nju-Jork, si pjesë e ngjarjeve në margjina të sesionit të 74-t të sivjetmë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Unë pohoj se vendet ballkanike po përparojnë dhe punojnë mundimshëm për të qenë pjesë e familjes së BE-së dhe t’i pranojnë dhe kultivojnë vlerat demokratike evropiane si pjesë të kulturës së vet politike dhe traditës demokratike”, potencoi kryeministri Zaev në debat, ku morën pjesë shumë liderë aktualë dhe të mëparshëm politik nga rajoni, si ministrja e Punëve të jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ish-presidentët e Bullgarisë, Rosen Plevneliev dhe Petar Stojanov, ish-kryeministrja dhe presidenti i Kroacisë, Jadranka Kosor dhe Ivo Josipoviq dhe ish-kryesuesi i Këshillit të ministrave të BeH-së, Zllatko Llagumxhija, si dhe njohës të tjerë të rajonit.

Si argumente për qëndrimin e tij për përparimin e Ballkanit Perëndimor në proceset integruese euroatlantike, kryeministri Zaev i veçoi marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal si prioritet të përbashkët dhe qëllim strategjik të të gjitha vendeve të rajonit, si domosdoshmëri për t’u realizuar ambiciet e të gjithëve veçanërisht për integrim në BE dhe në NATO.

“Vendosëm se është koha të bashkohemi rerth faktit se historia është pjesë e rëndësishme e identiteteve tona, por asnjëherë nuk mund ta marrë vendin e së ardhmes sonë. Ajo ishte fuqi lëvizëse për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për t’i zgjidhur kontestet bilaterale me Bullgarinë në vitin 2017 dhe me Greqinë në vitin 2018, pa marrë parasysh kritikën nga opozita”, theksoi kryeministri Zaev në debatin me temë “Ardhmëria e integrimeve euroatlantike: Ku po shkon Ballkani Perëndimor”.

Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, kryeministri Zaev theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka probleme të hapura me fqinjët dhe se kjo e bën vendin të vetmin në rajon nga ajo perspektivë.

Zaev i njoftoi të pranishmit edhe me Marrëveshjen e Prespës, për të cilën është vlerësuar se është shembulli më i mirë për sukses të diplomacisë dhe dialogut i cili i vuri fundin kontestit shumëvjeçar me Greqinë. Gjatë debatit, ai tha se perspektivat e BE-së dhe të NATO-s janë stimulimet kryesore për Qeverinë dhe popullin e vendit, dhe se kjo bëri që Qeveria tërësisht t’i përkushtohet agjendës për reforma dhe për realizim të standardeve për fillim të negociatave për anëtarësim të barabartë në BE.

“Reflektuam rezultate konkrete në të gjitha sferat, siç kërkohej në konkludimin e Këshillit të Evropës nga qershori i vitit 2018 dhe tani presim vendim pozitiv për fillim të negociatave për inkuadrim në BE në tetor të këtij viti. Çdo shtyrje e një vendimi të këtillë do të ketë efekte mjaft negative, si për vendin, ashtu edhe për rajonin. Nëse BE-ja nuk reflekton, atëherë kredibiliteti i BE-së dhe parimi i kushtëzimit do të vihen nën shenjë pikëpyetjeje”, potencoi kryeministri Zaev në debat.

“Të gjithë pjesëmarrësit në debat ishin të njëzëshëm se shtyrja e datës për negociata të Maqedonisë së Veriut do të dërgojë porosi mjaft negative për tërë rajonin dhe se vendimi i tillë seriozisht do ta minojë motivimin për vendet e rajonit ballkanik për të vazhduar me mirëmbajtjen dhe përforcimin e trendit të stabilitetit, përforcimin e demokracisë dhe kushteve për rritje ekonomike dhe prosperitet”, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp. .

evn