Lidhja përmes autostradës nga Prishtina deri në kufirin me Maqedoninë është drejt përfundimit, por nga ana e Maqedonisë, projekti prej Shkupit deri në Bllacë është vetëm në fillimet e tij, raporton Alsat M.

Ndërtimi i autostradës deri në Kosovë është kërkesë e vjetër e qytetarëve, sidomos nga komuniteti i biznesit, por pushteti vendosi që tani ta vendos projektin në listën e prioriteteve.Paralajmërimet janë se në pranverë vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i autostradës së re prej 13 kilometrave deri në Kosovë. Në fillim parashihet të ndërtohen rreth 2 kilometra nga kalimi kufitar i Maqedonisë nëpër qendrën e Shkupit, por se njëkohësisht do të projektohen 10 kilometrat e mbetura.

Ekspertët konsiderojnë se bëhet fjalë për aks me sfida të shumta, si nga aspekti i inxhinierisë ashtu edhe nga ai financiar.

“Duhet një qasje më serioze ndaj procesit në përgjithësi, mendoj se ndërtimi mund të zgjasë rreth 2 vite. Me organizim të mirë dhe kuptohet me parakusht punimet ndërtimore të realizohen në nivel të lartë dhe projekti të realizohet në mënyrë cilësore, që do të rezultojë me matje të saktë, dhe që është e rëndësishme, përllogaritje të saktë për investitorin që ai të dijë çfarë e pret nga aspekti financiar gjatë realizimit të punimeve”, ka thënë profesori Goran Markovski për Alsat M.

Autostrada do të ndërtohet me fonde të cilat Qeveria planifikon t’i sigurojë nga ndonjë kreditor i huaj, por një pjesë do të financohet nga arka e shtetit. Profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Markovski thotë se duhet të jemi të kënaqur nëse shuma e shpenzuar nuk kalon mbi 100 milionë euro.

“Në projekte të këtilla infrastrukturore, nuk duhet të bëhen vlerësime, por duhet të ketë të dhëna të saktë pasi çmimi i kostos varet shumë nga shpronësimi. Sa shteti duhet të paguaj për marrjen e pronës private, që është në pronësi të ndonjë personi privat si dhe shpenzime tjera gjatë ndërtimit, por konsideroj se më pak se 100 milionë nuk do të kushtojë ky Project”, shtoi ai.

Edhe pse për pjesën më të madhe të autostradës ende nuk ka përfunduar projektimi, vendimi është që ky aks të fillojë tek unaza përballë Stenkovecit. Kompetentët konfirmojnë se autostrada do të ketë disa unaza, disa ura, viadukte si dhe një tunel. Pasi autostrada të përfundojë, do të vendoset edhe pika e pagesës. Megjithatë, si alternativë do të mbetet edhe rruga e vjetër drejt Bllacës, e cila do të riparohet.

Në pranverë pritet të shpallet edhe tenderi për rehabilitimin e aksit ekzistues deri në kufirin e Kosovës. Shuma maksimale e paraparë që Qeveria planifikon ta ndajë për riparimin e kësaj rruge është 3 milionë euro. Por, sipas kompetentëve, pritjet janë se kompanitë ndërtimore në ankand do të dërgojnë oferta më të lira”. Deri më tani, në të gjitha programet të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, rregullisht gjendej ndërtimi i kësaj autostrade, por e tërë kjo ka mbetur vetëm në letër.