Ligji për amnisti, nesër shqyrtimi përfundimtar

Trupi ndër-partiak për pajtim dhe integrim të martën do të bëj shqyrtimin përfundimtar të draft-ligjit për amnistinë e 27 prillit. Në rast se vendimi i trupit është unanim, drafti do të dorëzohet në arkivin e Kuvendit. Jo zyrtarisht, shërbimet e Kuvendit menjëherë do ta nisin në Komisionin për sistem politik. Pas shqyrtimit në komisionin amë, drafti dorëzohet tek kreu i Kuvendit i cili obligohet që ta vendos në seancën plenare të radhës.

Marketing

Nuk përjashtohet mundësia që drafti të vendoset edhe në seancën plenare të së martës për shkak se i njëjti do të dorëzohet me procedurë të shpejtë.

Draft-ligji për amnisti i përgatitur nga nëngrupi për pajtim në Kuvend, parashikon amnistimin e të akuzuarve për “cenim terrorist të rendit kushtetues”. Të gjithë personat të cilët përfshihen në akuzën për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend, të cilët nuk kanë kryer vepra penale të llojit: dhunë, dhunë fizike, tentim vrasje dhe bashkim për veprimtari kriminale do të lirohen nga ndjekja penale. Që amnistia t’i kap, të akuzuarit do të duhet personalisht të prononcohen nëse pranojnë ose duan që të vazhdojnë procedurën gjyqësore.

Nga 33 të akuzuar, drafti parashikohet t’i amnistojë mbi 20 persona. Edhe pse gjykata dhe Prokuroria për krim të organizuar duke u thirrur në ligjin për amnisti do t’i thonë fjalët përfundimtare, vendimi politik i dalë nga ligjvënësi parashikohet t’i amnistojë edhe deputetët që hapën dyert e Kuvendit.

Pikërisht amnistia për Sashe Vasilevskin dhe Kërsto Mukoskin ishte pengesa që zvarriti deri më tani punën e nëngrupit për pajtim. Deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja pretendojnë se me draftin për amnistinë është gjetur formulimi i duhur juridik për të mos ndikuar në proces, duke deklaruar deri më tani disa herë se amnistia kushtëzon miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Në rast se miratohet Ligji për amnistinë e 27 prillit, organi akuzës pritet të rikualifikojë akuzën në fuqi. Në këtë rast, të pandehurit për 27 prillin do të akuzohen me veprën “bashkim për veprimtari armiqësore” e cila sipas Kodit Penal parashikon të paktën 4 vite burg. Kjo akuzë do t’i përfshijë vetëm organizatorët e dhunës dhe dhunuesit në ligjvënës.

Marketing