Ligji për gjuhët, Komisioni i Venecias në takim me partitë

Përfaqësues të pushtetit dhe opozitës u takuan me ekspertë të Komisionit të Venecias për të diskutuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Marketing

Nga BDI thonë ligji është plotësisht në përputhje me normat kushtetuese, i cili rrumbullakon pjesën normative të MO-së, teksa nga komisioni kanë kërkuar opinionin lidhur me nenin 8, që ka të bëjë me përdorimin e ligjit në bankënota dhe uniforma.

“Kërkova opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me nenin 8 paragrafin i cili i referohet përdorimit të gjuhës shqipe edhe në monedha si dhe në uniformat e ushtrisë, për arsye se marrëveshja jonë politike e koalicionit ka qenë që vetëm kjo pjesë e përdorimit të gjuhëve do të dërgohet për opinion në Komisionin e Venedikut”,- tha Artan Grubi nga BDI.
Kreu i ASh-së, Ziadin Sela, tha se para komisionit ka ngritur shqetësimin për ofendimin që i bëhet gjuhës shqipe, duke e quajtur “Gjuhë që e flasin 20% e qytetarëve”.

“Kryesisht vërejtjet kanë të bëjnë me definicionin për gjuhën shqipe, ne si subjekt politik insistojmë përsëri që me ndryshimet kushtetuese të mos ketë definicione ofenduese për gjuhën shqipe, sepse nuk mund të ketë gjuhë që e flasin mbi ose nën 20%, sepse kështu merr formën e një të drejte përkohshme. Kjo gjuhë është gjuha që e flasin shqiptarët dhe është gjuha shqipe që duhet të rregullohet me kushtetutë”,- tha Ziadin Sela nga ASh.

Takimi ishte informativ, tha Sonja Mirakoska nga PRSD.
“Ata u interesuan për zgjidhjet në ligj, për të gjitha zgjidhjet: Si do të flasin qytetarët, si do të përdoren të dy gjuhët zyrtare para të gjitha institucioneve, në gjykata, para noterëve etj.. Si do të funksionojë Agjencia, Inspektorati, pyetjet ishin për të gjitha segmentet që ofron si zgjidhje ligji”,- theksoi Sonja Mirakoska nga PRSD.

Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së lidhur me këtë çështje është i njohur”, tha koordinatori i kësaj partie, Nikolla Micevski.

“Nënvizuam vërejtjet tona para Komisionit të Venecias. VMRO-DPMNE ka qëndrim principiel dhe konsistent që nga fillimi lidhur me këtë çështje. Në mënyrë plotësuese dhamë vërejtje sa i përket gjithë procedurës rreth miratimit si dhe kushtetueshmërisë për gjithë zgjidhjen ligjore. Të mos harrojmë, pa sqarim u hodhën poshtë mbi 36 mijë amendamente të VMRO-DPMNE-së”,- u shpreh Nikolla Micevki nga VMRO-DPMNE.

Pjesët kontestuese mbetet përdorimi i ligjit në bankënota dhe uniforma për çka edhe Qeveria vendosi të kërkojë mendim nga Komisioni i Venecias.

Marketing