Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit thonë se Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë është miratuar sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe se gjatë shpjegimit se si miratohet ky Ligj kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka bërë gabim.

Nga kabineti i Xhaferit i referohen nenit 11, paragrafi 3 të Ligjit për Komitetin për Marrëdhënieve mes Bashkësive, ku janë theksuar ligjet të cilat votohen me Badenter, ndërsa në mesin e të cilave nuk është Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë.

“Ligji miratohet me shumicë të thjeshtë, sepse për këtë ligj sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit nuk është paraparë votim i veçantë, gjegjësisht votim sipas Badenterit”, deklarojnë nga kabineti i kryetarit të Kuvendit.
Pritet që Xhaferi nesër, pas shpalljes së zgjedhjeve të paralajmëruara për më 12 prill, në konferencë për shtyp të sqarojë se gabimisht ka deklaruar se Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë votohet me Badenter.