Ligji për përdorimin e gjuhëve, Kekenovski ngre nismë në Gjykatën Kushtetuese

Profesori universitar, Jove Kekenovski, ngriti nismën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili ka hyrë në fuqi pak ditë më parë.

Marketing

Kekenovski konteston dekretimin e Ligjit pa nënshkrimin e presidentit, Gjorge Ivanov, por edhe mënyrën e miratimit të ligjit në fjalë.

“Gjatë marrjes së vendimit, Gjykata Kushtetuese duhet të ketë parasysh faktin se Ligji nuk është nënshkruar nga presidenti i RM-së dhe të veprojë në harmoni me praktikën e deritanishme që një numër i madh i ligjeve që nuk janë nënshkruar nuk kanë hyrë në fuqi. Gjithashtu duhet të merret parasysh edhe fakti se Kuvendi i RM-së gjatë leximit të tretë aspak nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e parashtruara nga presidenti i RM-së dhe amendamentet e deputetëve në Kuvendin e RM-së”,- tha parashtruesi i nismës në GJK, Jove Kekenovski.

Sipas Kekenovskit, gjatë miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lexim të tretë, pas refuzimit të presidentit që ta dekretojë, Kuvendi është dashur ta vë në rivotim brenda 30 ditësh dhe ligji të rivotohej sërish me shumicë të cilësuar dhe “Badenter”.

Ai kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të pezullojë zbatimin e ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar për nismën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Kërkoj nga Gjykata që gjatë procedimit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për nismën, të marrë vendim për ndalesë për zbatimin e akteve dhe veprimeve individuale që merren në bazë të Ligjit i cili është publikuar, me qëllim që mos të ndodhin pasoja të paparashikuara, të cilat nuk do të mund të mënjanohen”,- tha parashtruesi i nismës në GJK, Jove Kekenovski.

Përveç nismës konkrete, Kekenovski akuzoi pushtetin për arrogancë politike. Sipas tij, ekzekutivi dhe shumica parlamentare përkundër deklarimeve pro vlerave evropiane dhe përcaktimit për shtet të së drejtës, me veprime të tilla, po pezullojnë sundimin e ligjit.

Kekenovski ishte anëtar i VMRO-DPMNE-së deri në vitin 2015, kur u pezullua nga partia për shkak të qëndrimeve kundër kreut të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Më pas, Kekenovski themeloi Lëvizjen “FRODEM”, mirëpo në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, si pjesë e “Koalicionit për ndryshime dhe drejtësi”, nuk fitoi asnjë mandat.

Marketing