Ligji për Prokurorinë Publike, pranohen disa nga kërkesat e opozitës maqedonase

Miratimi i 10 amendamente të LSDM-së, BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së të dakorduara paraprakisht, ishte arritja e parë e negociatave ndërmjet grupeve të punës për ligjin për Prokurorinë Publike. Në komisionin për çështje evropiane gjithsej nga partitë u pranuan 51 amendamente, prej të cilave, ashtu siç pritej, më shumë janë nga VMRO-DPMNE-ja. Ndër amendamentet që morën dritë jeshile ishin kryesisht ata që rregullonin aspekte të caktuara teknike. Opozitës maqedonase ju pranua propozimi për rritjen e buxhetit të prokurorisë prej të paktën 0.4% nga buxheti i përgjithshëm i shtetit. Por, pjesët problematike për të cilat palët kanë pasur më shumë përplasje vazhdojnë të jenë objekt negocimi. VMRO-DPMNE-ja propozon kalimin e lëndëve të speciales në Prokurorinë e rregullt dhe, më pas, shpërndarjen e tyre nga ana e kryeprokurorit. Partia e Mickoskit kërkon edhe të drejtën e propozimit të emrit të prokurorit të ri për krim të organizuar dhe korrupsion të nivelit të lartë, i cili për to, jo domosdoshmërish duhet të jetë prokuror.

Marketing

Të jetë sipas kritereve të larta, me propozim të partisë më të madhe opozitare, me vërtetimin e propozimit nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime dhe me konfirmimin e propozimit nga ana e shumicës parlamentare në seancë plenare dhe ai propozim të dërgohet në Këshillin e Prokurorëve Publik për konfirmim final ose refuzim… Zgjedhja e njeriut të parë të Prokurorisë për korrupsion dhe krim të organizuar të mos duhet të jetë vetëm nga radhët e prokurorëve publik por të ketë më shumë hapësirë që të mund të jetë edhe nga radhët e profesorëve me përvojë të gjatë dhe mësimdhënie në këtë fushë – tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Nga pushteti nuk janë prononcuar akoma për këtë kërkesë të opozitës maqedonase. Por deputetja e LSDM-së Snezhana Kalevska personalisht vlerëson se politika nuk duhet të përzihet në përzgjedhjet kadrovike në organet e prokurorisë.

Unë angazhohem për ndarje të qartë të pushtetit. Personalisht vlerësoj se përzierja e politikës në zgjedhjen e njerëzve të parë që do të udhëheqin me prokuroritë do ta shkelnin parimin e pavarësisë. Unë mendoj se ne duhet të bëjmë gjithçka që politika sa më pak të përzihet në përzgjedhjet kadrovike – tha Snezhana Kalevska Vançeva, LSDM.

BDI-së jua pranua amendamenti për harmonizimin e ligjit të prokurorisë me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Më tej për shqyrtim mbeten amendamentet për votimin me Badenter në Këshillin e Prokurorëve gjatë zgjedhjes së prokurorëve dhe përfaqësimin e drejtë etnik në strukturat e prokurorisë.

Kreu i Komisionit Artan Grubi, sqaroi rrjedhën e seancës.

Kanë mbetur për t’u diskutuar edhe 41 amendamente për të cilat do të vazhdojmë diskutimet me propozuesit gjatë ditës së sotme dhe në momentin që do të kemi dakordësim mbi amendamentet, gjithsesi se do të vijojmë me seancën e komisionit për çështje evropiane e cila gjithsej duhet të zgjasë dy ditë pune – u shpreh Artan Grubi, BDI.

Lëvizja Besa ankohet për anashkalimin e amendamenteve të saj në seancën e sotme të komisionit. Sipas tyre, shqyrtimi i amendamenteve duhet të ishte zhvilluar me radhë si në seancat e zakonshme.

Me një marrëveshje të brendshme që e bënë ndërmjet shumicës dhe opozitës maqedonase në njëfarë mënyre e pamundësuan debatin për amendamentet të cilat personalisht si deputet dhe si lëvizje Besa I kemi pasur. Kemi pasur dy amendamente që sot t’i trajtojmë dhe t’i shqyrtojmë në kuadër të komisionit. Neve na u pamundësua që këto amendamente të trajtohen me një arsyetim të thjeshtë se për këto do të bisedohet pak më vonë – theksoi Fadil Zendeli, BESA.

Besa nëpërmjet amendamenteve propozon përdorimin e materialeve të përgjuara edhe më tej në procedura gjyqësore dhe njohjen e gjuhës shqipe nga të gjithë prokurorët e ri. Për anashkalim të amendamenteve të saj u ankua edhe Aleanca për Shqiptarët. Partia e Selës kishte njoftuar se do të kërkojë vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale me të cilën do të drejtonte një prokuror i huaj.

Propozim ligji që është në procedurë parlamentare parashikon shkrirjen e Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë aktuale për krim dhe korrupsion në departament të veçantë në kuadër të Prokurorisë Themelore të quajtur Prokuroria për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.

Marketing