Ligji për Prokurorinë Publike,takohen sot grupet e punës

Grupet e punës mes LSDM-së dhe VMRO-së pritet të takohen sot në Kuvend ,në tentim për t’i harmonizuar vërejtjet që kanë dalë nga debati publik dhe për të arritur konsensus për Ligjin për Prokurorinë Publike.
Dje, Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, tha se vendit i duhet një ligj i cili përfundimisht do të largojë duart e politikës nga gjyqësori.
Me këtë ligj sipas Spasovskit, duhet të mundësohet drejtësi për të gjithë qytetarët dhe zgjidhje ligjore e cila nuk do të kursejë asnjë individ.

Marketing

“Unë dhe Qeveria jemi absolutisht kundër çfarëdo zgjidhjeje ligjore e cila do të pamundësojë udhëheqjen e procedurave penale kundër cilitdo qoftë, por përkundrazi, të kemi zgjidhje ligjore që do të mundësojë drejtësi për të gjithë, secili barabartë të përgjigjet para zgjidhjeve ligjore dhe me këtë të tregojmë se kemi me të vërtetë vlera evropiane.”,- deklaroi kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE thotë se propozim ligji aktual edhe gjatë debatit publik ka pasur kritika, prandaj ka nevojë për ripërpunim.

“Unë jam optimist se ligji mund të miratohet edhe për më pak se 10 ditë me kusht që Renata Deskoska, LSDM dhe Zaev të tërhiqen nga abolimi i kriminalitetit, gjegjësisht t’i ndryshojnë të gjitha vërejtjet që i kanë notuar edhe ekspertët.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Debati për Ligjin e Prokurorisë Publike duhet të jetë debat në të cilin do të marrin pjesë individë të pastër penalisht dhe jo të dyshuar e të akuzuar siç është rasti me një numër të deputetëve të BDI-së, kanë deklaruar nga Aleanca për Shqiptarët.

“Është e turpshme që një ligj i kësaj natyre kaq të rëndësishme pritet të votohet pikërisht nga këta persona të inkriminuar drejtpërdrejt në procese gjyqësore për krime nga më të ndryshmet. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Ligji i ri për Prokurori Publike nuk është ligj i cili duhet të lejojë lojëra politike dhe manipulime. Vlerësojmë se pjesëmarrja e këtyre personave në sjelljen e ligjit dhe diskutimit për të vetëm se njollos qëllim e ligjit, e që duhet të jetë funksionimi i Prokurorisë Publike pa ndikime nga jashtë”,- thuhet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, shpreson se ligji do të miratohet.

“Besoj që mundet për shkak se bëhet fjalë për procedurë të thjesht, bëhet fjalë për diçka që është në dobi të qytetarëve dhe gjithsesi se i hap të gjitha perspektivat e mundshme. Do të isha shumë më i lumtur nëse do të miratohej me konsensus.”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Marketing