Ligji për prokurorinë, Xhaferi cakton seancën në fund të gushtit

Për më 27 gushtë është caktuar seanca në të cilën duhet të miratohet Propozim-Ligji për Prokurorinë e re Publike. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse do të arrihet shumica e nevojshme prej dy të tretave për të miratuar ligjin, duke e ditur se ka mospajtime mes Qeverisë dhe Opozitës, lidhur me dispozitat e ofruara, por edhe për propozimin për kreun e Prokurorisë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Marketing

Kryeministri Zoran Zaev është shprehur se në Propozim-Ligjin e ri, ata kanë inkorporuar të gjitha pikat për të cilat është diskutuar me opozitën dhe me gjitha grupet parlamentare.

Ai ka sqaruar se me zgjidhjen ligjore propozohet Prokuroria speciale publike të integrohet në Prokurorinë e deritanishme publike të krimit të organizuar dhe korrupsionit. PSP e re do të riemërtohet në Prokurori publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë me kompetenca në mbarë territorin e vendit dhe garanci për veprim të pavarur e cila përgjigjet në pozitën aktuale, ndërsa është në hierarki dhe vartësi të Prokurorisë publike të RMV-së.

Por, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hrsitijan Mickoski ka thënë se me propozimin e LSDM-së, Prokurorja speciale publike, Katica Janeva duhet të avancohet në Prokuror Republikan publik, ndërsa prokurorët e tjerë të merren nga Prokuroria e re për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë që duhet të formohet. Kjo ka thënë Mickoski, është shkelje e Ligjit të PSP-së e cila parasheh këta prokurorë pas përfundimit të mandatit të kthehen në Prokuroritë amë.

Propozimi i VMRO-DPMNE-së është që të gjithë prokurorët sipas ligjit për PSP të kthehen në prokuroritë amë pas kalimit të mandatit, hetim të hollësishëm për rastin Zhvatja, kontrollim të përfshirjes së Katica Janevës, relacioni i saj dhe lidhja me dy të dyshuarit të cilët gjenden tani në paraburgim, por jo edhe më pak i rëndësishëm relacioni i saj me pseudonime të caktuara për të cilat opinioni spekulon se janë pjesë e pushtetarëve.

Në lidhje me lëndët e PSP-së, propozimi i VMRO-DPMNE-së është që të gjitha lëndët deri më 30.06 2017, në vend që të merren nga prokuroria e re, të merren nga prokurori shtetëror publik dhe të dërgohen atje ku këto vepra përkasin.

Marketing