Ndryshime të reja në të ashtuquajturin ligji për punëtorët e firmave në falimentim shqyrtoi sot Komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale, të cilat duhet të mundësojnë që të drejtën e kompensimit ta realizojnë edhe rreth 1.600 punëtorë nga firmat në falimentim.

Siç sqaroi Sekretarja shtetërore në MPPS, Jovana Trençevska, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominuese të shtetit bëhen me qëllim që të mundësohet e drejta e sigurimit material që të realizohet pa dallim të marrëdhënies së punës së nënshkruar pas shfrytëzimit të kompensimit në para në bazë të papunësisë, qoftë në kohë të caktuar dhe të pacaktuar dhe nëse ka përfunduar, sipas dëshirës apo fajit të punëtorit.

Ligji bazë, siç përkujtoi ajo, ishte sjellë në shtator të vitit të kaluar. Disa ndryshime, theksoi, ishin bërë në mars të këtij viti, por edhe pas ndryshimeve gjatë zbatimit ishte konstatuar se një numër i madh i punëtorëve nga firmat në falimentim i përmbushin të gjitha kushtet, përveç kushtit i cili me ndryshimet e tanishme ndërpritet.

Për këtë, tha ajo, vendosëm që ky kusht nga ligji të largohet dhe këtë të drejtë të mund ta shfrytëzojnë një numër i madh i punëtorëve.

Sipas të dhënave të MPPS, deri më 21 gusht deri te Agjencia për Punësim e RM-së ishin dorëzuar 20.474 kërkesa nga qytetarë, ndërsa të drejtën e kanë realizuar 6.498. Me ndryshimet shtesë kompensim do të mund të marrin edhe 1.600, kështu që do të zgjidhet çështja e rreth 8.000 punëtorëve nga firmat në falimentim.

Anëtarët e Komisionit pyetën se për çka ka të bëjë dallimi në numrin e të paraqiturve dhe numrin e personave të cilët e kanë realizuar këtë të drejtë, ndërsa pjesëtarët e MPPS theksuan se një pjesë e madhe e tyre nuk e kanë përmbushur kushtin themelor së paku 15 vite të kenë qenë në marrëdhënie pune në ndërmarrje shtetërore të cilët kishin shkuar në falimentim, por se ka pasur edhe shumë kërkesa të pabaza.