Ligjit për arsim fillor, Mustafa: Parashihet progres në arsimin fillor

Në kuadër të Ligjit për arsim fillor janë paraparë shumë risi, të cilat kanë për qëllim rritjen e cilësisë dhe sigurimin e kushteve më të mira gjatë procesit edukativo-arsimor.

Marketing

Kështu vlerëson profesori universitar, Avzi Mustafa, i cili konsideron se ky ligj përfshin shumë avancime sa i përket vlerësimit të arsimtarëve, nxënësve, mënyrës së zgjedhjes së drejtorëve, uljes së numrit të nxënësve në paralele, përfshirjes së nxënësve me aftësi të posaçme në kuadër të shkollimit të rregullt, si dhe shumë risi që do të mundësojnë progres në kuadër të arsimit fillor.

“Është mjaft në interes evaluimi i jashtëm, ku do të marrin pjesë edhe nxënësit për të vlerësuar punën e arsimtarëve. Këshilli i arsimtarëve do të vendos se cili do të jetë udhëheqës i tyre, ku ishin propozimet dikur nga Ministria, nga komuna, tani fjalën kryesore do ta ketë Këshilli i arsimtarëve. Progres do të ketë gjithashtu edhe te nxënësit e talentuar, ku përmes orëve shtuese apo plotësuese prirja e tyre do jetë motiv që ata edhe më shumë të avancohen. Po ashtu kemi risinë që nxënësit me nevoja të posaçme, që do të hyjë në fuqi më 2020-2021, ku asistentët më tepër do të kyçen në procesin mësimor dhe do të ketë orë plotësuese, që të arrihet ajo që është parashikuar për këtë”,- tha profesori universitar, Avzi Mustafa.

Edhe Ligji për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë do të sigurojë motivim më të madh për punë për punonjësit e arsimit, duke u dhënë mundësi për avancim në karrierë në përputhje me stazhin dhe aftësitë që do dëshmohen në punë.

Edhe nga LSDM vlerësojnë se Ligji për arsim fillor është progresiv dhe siguron reforma cilësore në arsim.

“Sigurojmë arsimim ku nuk do ketë diskriminim, në pajtueshmëri me konceptin tonë “Një shoqëri për të gjithë”. Do të ulet numri i nxënësve në paralele, me ç’rast do të numërohen 20 deri më 30 nxënës, që çdo nxënësi t’i kushtohet vëmendje më e madhe si në sferën e arsimit po ashtu edhe në atë të edukimit. I motivojmë edhe nxënësit që përmes Parlamentit të nxënësve dhe avokatit të tyre të marrin pjesë në krijimin e politikave shkollore”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.

Ligj i ri për arsim pritet që të jetë progresiv, si dhe të kontribuojë në ndërtimin e një rinie të arsimuar dhe edukuar si bazë për prosperitet në shoqëri.

Marketing