Likovë/ Në Mateç u përurua salla e sporteve

Edhe Shkolla Fillore “Kultura” në fshatin Mateç të komunës së Likovës  është bërë me sallë të sporteve.  Në një solemnitet rasti të organizuar në këtë fshat, drejtori i kësaj shkolle, Musli Shabani, tha se sot edhe zyrtarisht u bë realitet ëndrra e kamotshme e nxënësve, mësimdhënësve dhe e banorëve të fshatit Mateç.

Marketing

“Kjo ishte një ëndërr e kamotshme e mësimdhënësve, por edhe e banorëve të fshatit Mateç, e që sot u bë realitet. Tani nxënësit e shkollës sonë i kanë të gjitha kushtet, ora e edukatës fizike do të zhvillohet në kushte normale, tani kemi kushte dukshme më të mira sipas standardeve evropiane.”,- tha drejtori i SH. F. “Kultura” – Mateç, Musli Shabani.

“Jo vetëm me këtë investim, por edhe me investime të tjera kapitale, e veçanërisht objekte arsimore, ne po e realizojmë ëndrrën tonë, përcaktimet tona, qëllimet tona për të vendosur themelet e shëndosha për ndërtimin e një rinie të shëndoshë, të përparuar, e cila do të konkurrojë me çdo nxënës tjetër të ndonjë shteti tjetër.”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

“Bëmë të pamundurën për ndryshimin e kushteve të infrastrukturës duke filluar nga kjo shkollë, si rregullim e oborrit, dyshemeve, ngrohjen qendrore si dhe gjithçka që duhet për një objekt të mirëfilltë shkollor.”,- tha kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Ndryshe, salla e sporteve shtrihet në një sipërfaqe prej 650m2, funksional për të gjitha lëmitë sportive, kurse për ndërtimin  e këtij objekti kapital janë investuar rreth 24 milion denarë, mjete këto të siguruara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Marketing