Lituania ratifikoi protokollin, Xhaferi: Faleminderit miqve që nuk na lënë vetëm

Parlamenti i Lituanisë me 108 vota “pro” dhe me asnjë “kundër”, ratifikoi Protokollin për inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Marketing

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin para deputetëve tha se Lituania konfirmoi edhe në vepër mbështetjen e sinqertë dhe pa rezervë gjatë gjithë këtyre viteve.

“Qytetarët tanë meritojnë të jenë qytetarë të lumtur, me të drejta dhe liri të barabarta, me vlera dhe standarde evropiane, me mundësi dhe shanse të njëjta. Dhe nuk ishim dhe nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Çdoherë ishin pranë nesh miqtë dhe partnerët tanë të vërtetë dhe për këtë jemi mirënjohës pa masë”,- tha Xhaferi.

Lituania është anëtarja e tetë e NATO-s që e ratifikoi protokollin. E para këtë protokoll e ratifikoi Greqia, pas saj Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa dje edhe Rumania.