Liturgjinë e Papa Françeskut në shesh do ta ndjekin 15.000 vizitorë

Vizita e papa Françeskut është nder i madh për vendin tonë dhe për afirmimin e saj në botë, ndërkaq është edhe në shenjë të shënimit të jubileut – 25 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin.

Marketing

“Kjo vizitë e papa Françeskut është pritur me gëzim dhe falënderim të madh, para së gjithash nga besimtarët katolikë, por edhe nga të gjithë qytetarët tanë. Papa zgjodhi ta vizitojë kishën katolike dhe popullin e Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë ta tregojë afërsinë e vet personale dhe simpatitë e fuqishme të Vatikanit ndaj vendit tonë ku çdo vit mbajmë solemnitete të përbashkëta për nder të vëllezërve Cirili e Metodi. Ardhja e tij në vendlindjen e shenjtores Nëna Terezë, e cila u bë simbolikë e veçantë për pajtim dhe solidaritet. Nderi që i është treguar vendit tonë dhe qytetarëve tanë është akoma më i madh dhe më i rëndësishëm edhe për shkak se Vatikani dhe RMV këtë vit shënojnë jubileun e rëndësishëm të 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, tha Zaev.

Ipeshkvi i kishës katolike në vend, monsinjor Kiro Stojanov tha se kjo vizitë është e rëndësishme për inkurajimin e komunitetit të vogël katolik të cilin dëshiron ta inkurajojë në besim, por edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira bilaterale mes dy shteteve.

Viktor Dimovski, shef i Trupit koordinues të Qeverisë për organizim të vizitës, informoi se papa do të arrijë në vend më 7 maj me fluturim special në Aeroportin ndërkombëtar Shkup në orën 8:15, ndërkaq në vizitën zyrtare në vend do ta shoqërojë delegacioni 30-anëtarësh.

Pas arritjes në aeroport, papa Françesku në Vilën presidenciale në Vodno do të ketë takime të veçanta me presidentin Gjorge Ivanov dhe familjen e tij. e më pas edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe familjen. Pas këtyre takimeve, ai do të flasë para përfaqësuesve të kreut shtetëror, korit diplomatik dhe të shoqërisë civile.

Theksoi se të gjithë që do të dëshirojnë të marrin pjesë në liturgjinë e shenjtë, e cila do të mbahet në shesh, hyrja do të jetë e hapur prej orës 6:00 deri në orën 9:00 të mëngjesit, ndërkaq liturgjia do të fillojë prej orës 11:30. Qytetarët të cilët do të dëshirojnë të marrin pjesë në ngjarje do të duhet të sigurojnë bileta, të cilat ndahen pa pagesë në kishën katolike. Pritet që meshën ta ndjekin rreth 15.000 vizitorë. Janë siguruar edhe 2.000 vende për t’u ulur.

Papa Françesku, gjatë vizitës do ta shfrytëzojë edhe automjetin e posaçëm, i njohur si “papamobili”, nëse atë e lejojnë kushtet.

Interesi për vizitën, sipas Dimovskit, është i madh edhe tek mediumet. Për këtë ngjarje deri më tani janë akredituar rreth 400 gazetarë, 200 prej të cilëve nga vendi.

Për shkak të pranisë së papës, niveli i sigurisë në kryeqytet do të jetë në nivelin më të lartë, ndërsa autobusët e NPQ me qëllim që t’i bartin të gjithë qytetarët e interesuar në ngjarjen e madhe, do të vozisin pa pagesë.

Marketing