Llaskarcë, vendi i përgjakur mbulohet me lule

Vendosen lule në vendin që një vit më parë u përgjak nga aksidenti tragjik me autobus. Në Llaskarcë ende pa zbardhur dita, familjarët ndezën qirinj në shenjë përkujtimi për 16 viktimat. Kjo lëndinë më 13 shkurt të 2019-tës, ishte tmerri i udhëtarëve të autobusit “Durmo Tours”, i cili nga autostrada humbi kontrollin duke lënë të lënduar edhe 37 të tjerë. Të mbijetuarit i gëzohen jetës, por thonë se i vuajnë pasojat fizike dhe mendore. Edhe banorët e fshatit që dolën të ndihmojnë, e përkujtojnë këtë ditë.
Për të gjithë banorët tanë ishte një rast shumë i rëndë, që na preku të gjithëve. Ne ishim këtu në këtë vend që jemi sot. Ishim në mesin e shumë njerëzve, të cilët falë Zotit janë shëndosh e rehat dhe unë jam në mesin e tyre. Nuk do ta harrojmë asnjëherë, ishte ditë zie për të gjithë”-tha Sadat Qazimi, Banor i Llaskarcës.

Marketing

Në një marsh përkujtimor nga ora 5 e mëngjesit qytetarë të shumtë filluan rutën prej 55 kilometrash që nga vendngjarja deri në Gostivar, rrugë të cilën duhej ta përshkonte autobusi në ditën e kobshme. Kryetari i këtij qyteti thotë se me këtë simbolikë kërkojnë zbardhjen e rastit tragjik.

Shpresojmë që së paku të dihet cila ishte arsyeja që ndodhi, jo për tjetër por me të vetmin qëllim që çdo herë njerëzit që bartin njëlloj faji, ta dinë se kush është ai që ishte shkaku në atë ngjarje dhe mos të përsëritët në të ardhmen”-pohoi Arben Taravari, kryetar i Gostivarit.

Në mesditë Taravari erdhi me veturë t’i shoqërojë, kurse lodhjen e ecjes nuk e ndien alpinistët, të cilët i ishin bashkuar marshit.

Ideja jonë është që të rritet vetëdija e qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm në të ardhmen gjatë vozitjes”-tha Zamir Mustafai, alpinist

Të arrijmë vetëdijesimin, sidomos të institucioneve për t’i zbardhur këto raste që në të ardhmen mos të ndodhin të njëjtat”-theksoi Jashar Hida, alpinist.

Për autobusin e aksidentuar të “Durmo Toursit” të linjës Shkup-Gostivar, Prokuroria ka bazuar aktakuzën në dy pista hetimi, shkaqet teknike dhe shoferi. Pronari i kompanisë Durmish Beluli, përgjegjësi, Remzi Miftari dhe vozitësi Manoil Trifunovski ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale. Një vit pas, ngjarja nuk po merr epilog as në procesin gjyqësorë, ndërsa familjarët kanë kërkuar që lënda të rikualifikohet dhe 6 të akuzuarit të gjykohen për vrasje e jo për aksident trafiku. Seancë gjyqësore e radhës është më datë 19.