Lloga: Boki-t i dhamë 350 mijë euro në dorë

Për projektin për ndërtimin e azileve për pleq duhej të paguanim 350 mijë euro para në dorë dhe 16,1 milionë denarë në faturë, tha biznesmeni Resul Lloga, duke dëshmuar në gjykimin për organizatën joqeveritare “Aleanca ndërkombëtare” ku së bashku me themeluesin Bojan Jovanovski, të akuzuar janë edhe katër persona.

Marketing

Dëshmitari Resul Lloga, i cili ka qenë menaxher i ish-kompanisë “Drim Bilding” tha se bashkëpunimi me “Aleancën ndërkombëtare” ka qenë përmes partnerit të tij Adrian Amzovski.

“Projekti ishte për azile ndërkombëtare për pleq. Nga bisedat na u tha se duhet të paguajmë që ta fitojmë këtë projekt. Duhej 350 mijë euro para në dorë dhe 16 milionë e 100 mijë denarë në faturë për projekt me të drejta autoriale të Jasna Mandiqit”, tha dëshmitari Lloga.

I pyetur nëse i kishin dhënë paratë në dorë, dëshmitari u përgjigj me po.

“Paratë në dorë ia dhamë zotit Bojan, në praninë e partnerit tim Adrian Amzovski si edhe në praninë e një tjetri, më duket Aleksandër quhej”, tha Lloga.

Këtij projekti, dëshmitari tha se i është bashkuar pasi e kishte shqyrtuar dhe i është dukur si profitabil.

“Pasi vendosa t’i bashkohem projektit kam marrë pjesë në të gjitha takimet. Në të gjitha ishte Bojani, ndërsa në disa ishin edhe Jasna, Remenski dhe të tjerë nga “Aleanca ndërkombëtare”, tha dëshmitari Lloga.

Azilet, theksoi dëshmitari, janë paraparë të ndërtohen në tokë ndërtimore shtetërore dhe këtë ka pasur për obligim ta sigurojë “Aleanca ndërkombëtare”

“Kishim besim të plotë se ky projekt do të realizohet dhe se në qytet do të ketë një kompleks evropian për pleq”, tha dëshmitari Lloga, duke sqaruar se kjo i referohej bisedave dhe projektit, si edhe njerëzve të Qeverisë, Frosina Remenski dhe Aleksandar Kiracovski, të cilët i kanë parë.

Dëshmitari theksoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes i kanë paguar 15 milionë denarë dhe kishin ngelur edhe një milion e diçka, por pas skadimit të afatit prej 180 ditësh nga marrëveshja ata kanë kërkuar që mjetet t’u kthehen.

“Në këtë afat duhej ta siguronin lokacionin dhe lejen e ndërtimit. Kjo nuk u respektua nga “Aleanca ndërkombëtare”. Zoti Bojani i ktheu 155 mijë euro”, tha Lloga.

Në pyetjen e mbrojtjes, nëse në marrëveshje kishte pasur paragraf se për mosplotësimin e pikave të marrëveshjes nga cilado palë duhej të paguheshin penale prej 350 mijë euro, dëshmitari tha, po, kështu qëndronte në marrëveshje.

Dëshmitari, pyetjes së mbrojtjes, gjithashtu, iu përgjigj se për këtë marrëveshje po udhëhiqet procedurë para Gjykatës Civile.

I pyetur nga Bojan Jovanovski, se nuk ka mundur ta dijë se sa para i ka kthyer partnerit të tij Adrian Amzovski, dëshmitari Lloga, tha se për këtë i beson partnerit të tij.

Në seancën e sotme, dëshmitari tjetër që duhet të japë dëshminë është biznesmeni Adrian Amzovski.

Rastin e udhëheqë gjykatësja, Sofçe Gavrillova-Efremovska, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është Ivana Trajçevska.

Për rastin me organizatën joqeveritare “Aleanca Ndërkombëtare”, të themeluar nga Bojan Jovanovski-Boki 13, përmes së cilës sipas aktakuzës janë mashtruar biznesmenë për gjoja qendra për persona të moshuar, të akuzuar janë edhe Frosina Remenski, Mile Jovanovski, babai i Boki-13 dhe Jasna Mandiq Ercegoviq.

Jovanovski akuzohet për mashtrim dhe larje parash. Remenski është e akuzuar se ka ndihmuar në veprën mashtrim, Mandiq se ka ndihmuar në mashtrimin me larjen e parave, Mile Jovanovski se ka ndihmuar në larjen e parave dhe për përpunim të paautorizuar, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim me armë. Si person juridik akuzohet edhe organizata joqeveritare.

Marketing