Llogaridhënia e Speciales, “mollë sherri” mes partive

Partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE së fundmi në adresë të kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi ka drejtuar një kërkesë për formimin e Komisionit Anketues, i cili do të përcaktoj shkeljen e ligjit gjatë punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP), për veprat penale që dalin nga përgjimet.

Marketing

Por, nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) për gazetën KOHA, thonë se ky është edhe një tentim i VMRO-DPMNE-së për të shpëtuar kriminelët nga radhët e saj.

“Ky është edhe një tentim i VMRO-DPMNE-së që t’i ikë përgjegjësisë për krimet e bëra, në raport me propozimin e tyre, ekziston Komisioni për anti-korrupsion, ka revizion shtetëror. PSP-ja për çdo 6 muaji dorëzonte Raport për punë në Parlament, por VMRO-DPMNE nuk kishte vërejtje në raport me atë. I bëjmë me dije VMRO-DPMNE-së se shtet të së drejtës dhe drejtësi ka dhe do të ketë. Secili që ka gabuar para ligjeve dhe për të cilin në një procedurë transparente para gjyqësore do të vërtetohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen. Pa dallim të përkatësisë politike, etnike apo çfarëdo qoftë ajo , VMRO-DPMNE nuk do të arrijë që ti shpëtoj kriminelët nga radhët e saj”, deklaroi për gazetën KOHA, Kostadin Kostadinov, zëdhënësi i LSDM-së.

PSP TË JAP LLOGARI PËR ZVARRITJEN E LËNDËVE

Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) thonë se në parim ata mbështesin çdo propozim dhe iniciativë qe do të hetojë punën e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), por se për këtë fjalën e fundit e kanë organet partiake. “Si zakonisht për të tilla vendime vendosim ne organet partiake, së bashku me deputetët tanë. Në parim do të mbështesim çdo propozim dhe iniciativë që do të hetojë punën e Prokurorisë Publike Speciale, më saktë do të kërkojmë sqarim se cila ka qenë arsye që Prokuroria Publike nuk i ka procesuar të gjitha lëndët në kohën e duhur, dhe cila është arsye që për një kohë të gjatë kemi 2-3 vendime gjyqësore. Kuptohet që jemi të interesuar që PSP të japë informacione edhe për rastin ‘Pacient’ dhe Maxhar Telekom dhe rastet tjera për të cilat u tha se ekzistojnë dyshime, dhe të njëjtat nuk u hapën si lëndë sepse nuk i përkasin afatit ligjor te Prokurorisë Speciale”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.

Ndërkaq, nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit vlerësojnë se Maqedonia e Veriut ka nevojë për një komision që do merret vetëm me PSP-në.

“Maqedonia e Veriut ka nevojë për formimin e një komisioni shtetëror për të kryer reformën në drejtësi dhe nuk ka nevojë për një komision që do merret vetëm me PSP pasi që zyrtarisht këtë institucion e varrosën LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI. Çdo tentim për të bërë politikë me drejtësinë vetëm se do krijoj probleme në sistemin e drejtësisë dhe asnjëherë nuk do të zgjidhen të njëjtat”, thotë Elemedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Nga BDI-ja e Ali Ahmetit ende nuk kanë ndërtuar një qëndrim për këtë propozim, por shprehen se si çdo herë edhe kësaj radhe do ta thonë fjalën e tyre lidhur me këtë temë.

PROPOZIM LEGJITIM, POR JO I LOGJIKSHËM

Për juristin Qenan Aliu, propozimi i VMRO-DPMNE-së për Komision Anketues është legjitim, por jo i logjikshëm, pasi që sipas tij më tepër ka të bëjë për marketing dhe politikë ditore.

“Propozimi është legjitim, iniciativa e VMRO-DPMNE-së për tu formuar Komision Anketues më tepër është marketing dhe politikë ditore. Në nenin 76 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut thuhet se Parlamenti mund të formojë Komisione Anketuese për çështjet që kanosin interesin publik. Komisioni që propozohet për tu formuar sipas tyre do të kishte për synim mbikëqyrjen e punës materiale-financiare të PSP-së. Dhe kjo në shikim të parë më duket e deklasuar sepse Komisioni anketues mund të hetojë dhe konstatoj vetëm përgjegjësinë politike të bartësve të funksioneve politike dhe publike. Komisioni anketues nuk mund të shqyrtoj procedurat juridike të PSP-së”, deklaroi për KOHA, Qenan Aliu, jurist.

Sipas tij, punën materialo-financiare të një organi nuk mund ta hetojë një komisioni anketues parlamentar sepse për çështje të tilla është Enti shtetëror për Revizion dhe inspektorate të tjera për procedura përkatëse. “Jo se nuk duhet të bëhet ky revizion në PSP, sepse në fund secili organ është i obliguar t’i nënshtrohet revizionit për punën materiale-financiare, madje edhe Presidenti i shtetit si institucion. Andaj kjo nuk mund të shmanget as për PSP-në. Nëse revizioni nga Enti shtetëror për punën materiale-financiare konstaton shkelje të rënda në procedura dhe abuzime me buxhetin e organit, atëherë Enti është i obliguar që raportin t’ia përcjellë jo vetëm Parlamentit por edhe organit përkatës të gjyqësorit, i cili do të konstatonte se a ka bazë për ngritje të procedurës për ndonjë përgjegjësi eventuale”, theksoi Aliu.

KU JANË HARXHUAR 15 MILIONË EURO PARA NGA BUXHETI?

Komisionit Anketues duhet të përcaktoj mënyrën e punës materialo financiare të PSP-së, si dhe punësimet e bëra në këtë institucion. Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit do të zgjidhen nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Në komision do të ftohen ekspert dhe dëshmitarë të cilët do të flasin për punën e PSP-së. Sipas propozimit të parashtruar, Komisioni anketues do të ketë për qëllim që të bëjë analizë dhe t’u jep përgjigje pyetjeve se ku janë harxhuar 15 milionë euro para nga buxheti i shtetit të cilat ishin të parapara për funksionim normal dhe efikas të këtij institucioni. Komisioni po ashtu do të hulumtojë dhe analizojë rezultatet e arritura të PSP-së në luftën kundër korrupsionit, si dhe të ardhurat e prokurorëve në proporcion me rezultatet e arritura dhe punën e kryer.

Në propozim-vendimin për formimin e Komisionit anketues shkruan se do të analizohet edhe përbërja kadrovike e të punësuarve, me theks të veçantë, përhapja e madhe e nepotizmit, të cilin sipas propozuesit, asnjëherë nuk e kishte mohuar PSP e cila drejtonte këtë institucion. Komisionit Anketues do të shqyrtojë edhe mënyrën se si janë shpenzuar dhe ku kanë përfunduar mjetet të cilat janë ndarë si donacion nga ambasada e Amerikës, Holandës dhe Suedisë. Në propozim thuhet se këto tri ambasada kanë ndarë donacione të konsiderueshme për punën e Speciales, dhe se përfaqësuesit e të njëjtave do të ftohen me qëllim që të informohen se në ç’mënyrë janë shpenzuar parat e tyre. Komisioni do të verifikojë edhe shkeljet ligjore dhe procedurale të kryeprokurores së shkarkuar të PSP-së, Katica Janeva, për urdhrat e dhëna nga paraburgimi për funksionimin e PSP-së, si dhe tentimet e saj për të vendos si e dyshuar për lëndët e PSP-së. (koha.mk)