Lord Xhorxh Robertson, në emër të Grupit të Ohrit dërgoi letër me urime deri tek lideri i BDI-së Ali Ahmeti me rastin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe vendimin për fillimin e negociatave me BE-në.

“Po ju shkruaj në këtë ditë historike, kur flamuri i Maqedonisë së Veriut me krenari valvitet përpara selisë së NATO-s në Bruksel, për t’ju uruar juve dhe partinë tuaj për përpjekjet tuaja për të arritur këtë ditë për t’u mbajtur mend. Të gjithë në Maqedoninë e Veriut që kanë luajtur rol në procesin afatgjatë që ka çuar deri në ditën e sotme, duhet të lavdërohen për qëndrueshmërinë dhe durimin e tyre në bërjen e hapit të madh përpara për vendin tuaj dhe Ballkanin Perëndimor. Ne nga Grupi i Ohrit, miq të Maqedonisë së Veriut, jemi krenarë që kemi luajtur rol të vogël në udhëheqje deri tani. Kështu që ne festojmë me ju që vendi juaj është inkuadruar në Aleancë”, shkruan Lord Robertson.

Sigurisht, shton ai, kjo nuk është arsyeja e vetme për urimet. – Vendimi i Këshillit Evropian për të filluar negociatat për anëtarësimin e ardhshëm të vendit në BE është gjithashtu hap i madh në drejtimin e duhur për vendin tuaj. Maqedonia e Veriut, shtet i shquar multietnik në zemër të vendit që ishte një nga problemet botërore në botë, tani meriton – me përpjekjet e veta, të jetë pjesë e zhvillimeve evropiane. Udhëheqja juaj ndër vite ka qenë e rëndësisë thelbësore për të arritur atë që po ndodh sot dhe në emër të Grupit të Ohrit, ju falënderoj për këtë. Sot, FYROM më në fund vdiq. Maqedonia e Veriut aleate e NATO-s jeton, thuhet në letrën e nënshkruar nga Lord Robertson nga Port Ellen, ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

“Grupi i Ohrit” është grup joformal i formuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për të mbështetur vendin tonë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Ky grup është e përbërë nga burrështetas të shquar me karrierë të jashtëzakonshme politike dhe përvojë diplomatike. Në të përfshihen Robertson dhe Havier Solana, ish presidenti bullgar Plevneliev, ish shefi i diplomacisë suedeze Karl Bilt dhe ambasadorët Alen Le Roa dhe Volfgang Ishinger.