LSDM dhe BDI-ja harmonizuan programet dhe parimet

LSDM dhe BDI vazhdojnë konsultimet intensive në nivelin e sekretarëve partiak për një marrëveshje koalicioni. Pas vendosjes së parimeve dhe mënyrës së funksionimit të koalicionit, LSDM dhe BDI po punojnë në harmonizimin e programeve zgjedhore të të dy palëve në një program pune të Qeverisë eventuale të ardhshme. Përmes komunikatës së përbashkët, partitë konfirmojnë gjithashtu se kanë filluar edhe procesin e rishikimit të ndarjes së përgjegjësive në koalicionin e ardhshëm, si dhe propozimet për siç theksojnë drejtues të përshtatshëm, të përgatitur, të ndershëm dhe të aftë, që do të jenë në gjendje të zbatojnë plotësisht programin në një afat katër vjeçar.

Marketing

Palët nuk japin më shumë detaje nëse kanë gjetur gjuhë të përbashkët rreth të parit të ekzekutivit, ndonëse para se t’i fillonin negociatat pikërisht kjo ishte linja e kuqe e dy partive. Vetëm shtojnë se opinioni do të informohet sapo të arrihet ndonjë përparim në negociata. Mandatari për formim të Qeverisë së re nga radhët e socialdemokratëve, Zoran Zaev ka afat prej 20 ditëve të formojë Qeveri dhe të sigurojë shumicë parlamentare, në të kundërt mandati do t’i kalojë kreut të partisë së dytë me më së shumti deputetë, Hristijan Mickoskit.