LSDM e BDI optimiste për bisedimet për hyrje në BE, VMRO-DPMNE pesimiste

Partitë partnere qeverisëse në Maqedoninë e Veriut këtyre ditëve po shfaqin optimizëm se në qershor do të ketë vendim pozitiv për hapje të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimi Evropian (BE) aty nga fundi i këtij viti.

Marketing

Pas vendimit negativ të qershorit të vitit 2018 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare do të takohen në fund të qershorit për të rishqyrtuar përsëri çështjen e hapave të ardhshëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përkatësisht nëse do të caktojnë ndonjë datë apo afat kohor se kur do të hapen këto bisedimeve, të cilat Maqedonia e Veriut i pret që nga vitit 2005 kur e mori statusin e vendit kandidat për hyrje në BE, e Shqipëria që nga viti 2014.

Shkupi për shkak të vetos  greke e pret këtë vendim pra plotë 14 vite, ndërsa Tirana pesë vite, por jo për shkak të të njëjtës pengesë që Maqedonia e Veriut e pati me Athinën rreth çështjes së emrit.

Me heqjen e pengesës greke përmes marrëveshjes për ndryshimin e emrit nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, tash problem janë bërë vetë vendet anëtare të BE-së, siç ishte në qershorin e vitit të kaluar kur hapjen e bisedimeve e bllokuan Franca, Holanda dhe Danimarka.

Këtë optimizëm në një bisedë me Zhurnal.mk e kanë shprehur sot përfaqësuesit e LSDM-së dhe ata të BDI-së, përderisa partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE është shprehur pesimizëm.

“Sigurisht që jemi optimist se do të kemi (vendim po, sepse një pjesë e madhe e obligimeve që ishin kyçe e sollën shtetin në një nivel të ulët, duke mos na lënë të integrohemi në Bashkimin Evropian dhe NATO, siç është në pyetje çështja e emrit me Greqinë, marrëveshja me Bullgarinë, marrëveshjet me Kosovën…”, tha për Zhurnal.mk, Konstandin Konstadinov, zëdhënës i LSDM-së i pyetur për pritjet se çka do të ndodhë në takimin e qershoit të ministrave të BE-së si dhe të Këshillit Evropian i cili tubon kryetarët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të bllokut evropian e i cili mbahet në Bruksel.

Të njëjtin optimizëm e foli për Zhurnal.mk edhe Zëvendës-Kryeministri  Bujar Osmani.

« Jemi optimist » tha ai.

Në qershor të 2018, Franca, Holanda dhe Danimarka nuk u pajtuan me vendet e tjera të Bashkimit Evropian për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Vetoja e tyre bëri që vendimi eventualisht të mund të merret në qershorin e këti viti.

Por, që të tre shtetet nuk ishin unike në arsyet e tyre pse nuk lejuan që këto bisedime të hapen në fund të vitit të kaluar.

Franca, përkatësisht Kryetari Emmanuel Macron, e përdori arsyetimin e tij të çuditshëm për shumëkë në BE dhe institucionet e tij në Bruksel se zgjerimi i bllokut evropian “nuk mund të ndodhë pa u bërë një reformë” e madhe e brendshme në vet BE-në.

Por Osmani nga radhët e BDI-së sot u shpreh optimist se Macron do të ndryshojë qëndrimin për në qershor, përkatësisht pas zgjedhjeve të majit që mbahen nëpër vendet evropiane.

Macron ishte kritikuar nga disa analistë francez se ai çështjen e reformave të BE-së e pati vetëm si kamuflim para opinionit francez për të shtyer hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën deri pas zgjedhjeve parlamentare për legjislativin e BE-së me seli në Bruksel.

“Jam optimist se Franca do të ketë qëndrim pozitiv “ për hapje të bisedimeve, tha Osmani për Zhurnal.mk

Mirëpo këtë optimizëm të shprehur nga Konstandinov i LSDM-së dhe Osmani i BDI-së nuk e ndanë edhe VMRO-DPMNE.

“Ne kemi frikë se nuk do të ketë vendim për hapje te bisedimeve”, tha Ivo Kotevski, nga partia konservatore maqedonase VMRO- DPMNE e udhëhequr nga Hristijan Mickoski.

Nga radhët e partive opozitare shqiptare duket se ende nuk ka një parashikim të tyre se çfarë mund të pritet që të ndodhë në takimin e qeverive të BE-së në muajin qershor.

Zëdhënësi i  Lëvizjes Besa, Elmedin Memishi tha për Zhurnal.mk, se do të ishte një vendim i dëmshëm për vet vendin dhe përspektivën evropiane të premtuar.

“Nëse edhe kësaj radhe Maqedonia e Veriut nuk merr datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, kjo do të jetë një dështim dhe humbje e shpresës për zhvillimin e shpejtë të shtetit. Të gjithë e dimë se përkundër faktit se shumë çështje në aspektin legjislativ dhe konceptit të BE-së nuk janë plotësuar, mendoj se vendit duhet t’i jepet shansi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, sepse vetëm kështu vendi mund të ec përpara”, tha Memishi i Lëvizjes Besa të udhëhequr ng Bilall Kasami.

Zhurnal.mk ka tentuar që të merr përgjigje edhe nga partia tjetër opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, mirëpo as Kryetari i ASH-së Ziadin Sela e as Nën-Kryetari i kësaj partie Remzi Mehmeti, nuk kanë dërguar ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Marketing