LSDM: Gruevski të vijë vet ta deponojë dorëheqjen në Kuvend

LSDM i ka bërë thirrje Nikolla Gruevskit që të kthehet në vend dhe personalisht të deponojë në Kuvend dorëheqjen e tij nga mandati i deputetit. Zëdhënësi Konstandin Konstandinov i ka ftuar ish kryeministrin që të vijë dhe të vuajë edhe dënimin me burg, ndërsa i pyetur nëse do të konstatohet dorëheqja e dërguar me vërtetim të noterit apo do të zgjedhin rrugën përmes votimit me dy të tretat, ai vetëm tha se ligjet duhet të vlejnë për të gjithë pa saktësuar procedurën që do të ndiqet.

Marketing

“Nuk bëhet fjalë nëse ajo është e pranueshme apo jo. E dijmë se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet vlejnë dhe duhet të vlejnë njëjtë për të gjithë. Nikolla Gruevski nuk është përjashtim nga të gjithë qytetarët e shtetit tonë. Unë bëj thirrje dhe apeloj se Nikolla Gruevski ka obligim të kthehet në shtet ku duhet të vuaj dënimin me burg në përputhje me vendimin e plotëfuqishëm gjyqësor prej dy viteve dhe nëse ka ndërmend personalisht ta dorëzojë dorëheqjen në Kuvend”, deklaroi Konstandin Konstandinov.

Ligjet duhet të vlejnë njëjtë për të gjithë qytetarët thonë edhe nga partia amë e Gruevskit, VMRO-DPMNE. Zëdhënësi i kësaj partie, Naum Stoilkovski vetëm ka rikujtuar se kryetari i nderit i kësaj partie tanimë ka dërguar dorëheqje me akt notarial.

“VMRO-DPMNE është parti prinicipiele, e sinqertë dhe punon pikërisht në atë drejtim të ligjeve positive në Republikën e Maqedonisë të cilat duhet të vlejnë njëjtë për të gjithë. Me aq sa është e njohur, kryetari i nderit ka dërguar akt notariel ku thuhet se tërhiqet nga funksioni I deputetit kështu që do të veprojmë në përputhje me ligjet”, deklaroi Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi njoftuan se në mbledhjen e sotme koordinuese, dorëheqja e Gruevskit u është dorëzuar të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, ndërsa koordinatorët që kanë prezent kanë shprehur qëndrimet e tyre.

Vetëm koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski nuk ka qenë prezent në këtë mbledhje, ndërsa Xhaferi ka njoftuar se do ta takojë edhe atë dhe gjatë ditës së nesërme pritet të publikohet vendimi se si do të veprohet më tej me mandatin e Gruevskit.

Marketing