LSDM, Mickovski ndihmoi arratisjen e Gruevskit

Maqedonia dhe Hungaria nuk kanë të nënshkruar marrëveshje për ekstradim mes dy shteteve në bazë të së cilës vendi do të kërkonte ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, ka bërë të ditur ministria e drejtësisë.

Marketing

Në këto rrethana Maqedonia do të kërkoj ekstradimin e Gruevskit nga autoritetet hungareze në bazë të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në materie penale nga Konventa Evropiane për ekstradim e vitit 1957 si dhe nga dispozitat e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike mes RSFJ-së dhe Republikës Popullore të Hungarisë.
Ndërkohë LSDM ka shfaqur dyshime se në organizimin e ikjes së Gruevskit ka kontribuar edhe kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së, Hrisjan Mickoski.

“Vetë Mickoski në një emision debativ pati thënë se ka pasur takim me Nikolla Gruevskin në të cilin kanë diskutuar rreth ardhmërisë së Nikolla Gruevskit. Nga këtu kanë filluar dyshimet se ndoshta Hristjan Mickoski ka ndihmuar në organizimin e arratisjes së Gruevskit.

Unë pres që përgjigje në pyetjen tuaj të jap vetë Mickoski i cili ditëve të fundit nuk po paraqitet në opinion dhe nuk jep përgjigje në dyshimet të cilat i kemi paraqitur edhe para selisë së VMRO-DPMNE-së”– deklaroi deputeti i LSDM-së, Konstandin Konstadinov.

Por kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, vlerëson se ish kryeministri Nikolla Gruevski është viktimë e persekutimit politik.

Sipas tij tërë kjo që po ndodh këtyre ditëve i ngjan një teatri me aktorin kryesorë kryeministrin Zoran Zaev.

Autoritetet në Maqedoni kanë kërkaur që autoritetet hungareze ta refuzojnë kërkesën e Gruevskit për azil politik dhe i njëjti të kthehet në vend për të vuajtur dënimin me burg për rastin tanku dhe vazhdimin e proceseve tjera gjyqësore për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte kryeministër.

Por ka pasur edhe njoftime se Gruevski tanimë është larguar nga Hungaria drejt Rusisë, megjithëse informacionet e tilla nuk janë konfirmuar nga autoritetet hungareze apo ruse.