Partia më e madhe në pushtet LSDM përmes një kumtese me shkrim thonë se sipas të dhënave zyrtare nga Enti shtetëror për statistika, bruto prodhimi vendor në tremujorin e dytë të vitit 2018 ka shënuar rritje prej 3,1 përqind.

Nga kjo parti shprehen se duke e pasur parasysh se në tremujorin e fundit të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së në vitin 2017 ekonomia ka shënuar rënie prej -1,3 përqind, diçka më shumë se një vit, Qeveria e udhëhequr nga LSDM me politikat e suksesshme ekonomike ka arritur ta stabilizojnë ekonominë dhe të lëviz në drejtim të duhur.

“Ajo që është më shumë e rëndësishme, është se lëvizja pozitive e Maqedonisë në procesin e integrimeve në BE dhe NATO do të ndikojë pozitivisht ndaj ekonomisë. Ashtu siç afrohet Maqedonia me BE-në dhe NATO-s ashtu rritet edhe ekonomia. Procesi i tillë gjithashtu do të intensifikohet pas hyrjes në NATO dhe pas fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.
Me hyrjen në BE, Maqedonia bëhet pjesë e tregut prej 500 milion konsumatorëve, ekonomia maqedonase bëhet më konkurruese, hapen mundësi për më shumë investime, vende të reja të punës dhe rritje më e madhe ekonomike. Këto janë vetëm pjesë nga përfitimet ekonomike nga integrimi në BE dhe NATO. Për atë, të gjithë qytetarët më 30 shtator duhet të dalin në referendum për të ardhmen dhe të votojnë PËR më shumë investime dhe standard jete më të lartë, të votojnë PËR Maqedoninë evropiane”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.