Lucas Zeise: Jetë e dyfishtë e një gazetari

Është një prej gazetarëve më të mirë financiarë gjermanë. Por deri në vitin 2014 ka arritur të mbajë një sekret të madh: ishte i anëtarësuar prej 40 vitesh në Partinë Komuniste Gjermane, dikur e financuar nga Republika Demokratike Gjermane

Lucas Zeise ka zgjedhur të më takojë në Café Laumer, në lagjen Westend të Frankfurtit. Në vitet ’50 e ’60, Theodor W. Adorno dhe eksponentë tjerë të së majtës gjermane qenë klientë fiksë të kësaj kafeneje, atëhere e quajtur Café Marx. Vendi nuk ka sesi mund të bëhet më i përshtatshëm për të dëgjuar historinë e 74 vjeçarit Zeise, i cili ka pasur një jetë të dyfishtë. Është një njeri tërheqës, inteligjent dhe me humor thumbues. Dikur, kur ishte drejtor i seksionit Kapitalmärkte (tregjet financiare) i së përditshmes ekonomike “Börsen-Zeitung”, hynte shpesh në redaksi me një vëllim të Homerit në sqetull. Në vitin 1999 ka qenë pjesë e grupit themelues të “Financial Times Deutschland”, ku mbante edhe një rubrikë. Kjo karrierë nuk do të kishte qenë e mundur sikur për dekada të tëra të mos kishte mbajtur të fshehur diçka: teserën e Partisë Komuniste Gjermane (DKP). Kur ka dalë zbuluar, duke kandiduar për DKP-në në zgjedhjet europiane të 2014, në dhomat e “Börsen-Zeitung” duhet të ketë pasur ndonjë tërmet. Një i njohur i vjetër, që sot ka një rol të spikatur në financë, psherëtin: “Po pse duhej të anëtarësohej pikërisht në DKP?”. Përpara ribashkimit, partia ishte financuar nga Bashkimi Sovjetik dhe kontrollohej nga Republika Demokratike Gjermane. Sot pothuajse është zhdukur. Zbulimi që Zeise ishte anëtarësuar në DKP ka qenë një surprizë, thotë një ish koleg i tij që preferon të jetë anonim. Ama një gjë është e qartë: “Lucas nuk është stalinist, është bujar”.

Zeise u afrua me marksizmin në vitin 1968. I ardhur nga një familje borgjeze nga Bavaria, pas diplomës studioi Filozofi në Edimburg të Skocisë, ku bënte edhe aktorin teatral. Frekuentoi një kurs të dytë për Ekonomi në Universitetin e Ratisbonës. Aty u bë pjesë e organizatës studentore marksiste “MSB Spartacus”, e afërt me DKP-në, dhe fitoi një reputacion të caktuar. Një herë pedagogu i tij i teologjisë Josef Ratzinger, që do të bëhej më pas Papa Benedikti i XVI-të në vitin 2005, e ftoi në një seminar. “Flitej për bashkëekzistencën paqësore të sistemeve dhe unë duhej të eksopozoja pozicionin e Bashkimit Sovjetik”, kujton Zeise. “Dhe e bëra: komunistët mendojnë se socializmi është ekonomikisht dhe ideologjikisht superior, kështu që paqja është në interesin e tyre. Qe një diskutim i bukur, por më pas erdhën dy pedagogë Sociologjike që më pyetën të tërbuar se kush më autorizonte të thoja budallallëqe të tilla”.

Në atë kohë Zeise do të kishte qëndruar me dëshirë në universitet, por e dinte se, duke qenë i majtë, nuk do të mundëte kurrë të bënte karrierë akademike. Veç kësaj, metoda e tij e punës ishte “jashtëzakonisht kaotike”, thotë sot. Do të mund të bëhej edhe maoist – në atë kohë grupet maoiste qenë shumë të pranishme në universitet – por orientimi praktik i DKP-së në fund ia ka dalë ta bindë. Në vitin 1973 hyri në parti, falë të cilit arriti edhe të gjejë një punë sapo mbaroi studimet. Një shok që punonte në Jetro-n e Düsseldorf, organizata japoneze për tregëtinë e jashtme, i tha se aty po lirohej një vend pune. Zeise e siguroi vendin e punës, nisi të lezojë gjithnjë e më shpesh gazetat, relacionet e Bundesbank-ut dhe të Institutit Gjerman të Kërkimit Ekonomik. Nganjëherë lexonte edhe shtypin britanik. Një punë e mërzitshme për një njeri ambicioz. Darkave shkonte në selinë lokale të DKP-së, por nuk shikohej asnjëherë në publik me partinë, për shembull në manifestimet. “Është kjo norma të cilës i jam përmbajtur edhe më pas. U kam thënë vetëm pak shokëve se ku punoja. Përndryshe do të ishte përhapur fjala”.

Komunist i infiltruar

Edhe puna e mëpasme e Zeise, ajo e përgjegjësit për marketingun e Aluminium-Zentrale, kompanisë nga Düsseldorf që bënte biznes në sektorin e aluminit, nuk i pëlqente shumë. Por aty pati rastin që të mbante seksionin ekonomik të revistës së specializuar “Aluminium”. Kështu u vu në kontakt me gazetarët ekonomikë: ishte i tërhequr nga profesioni dhe nga mundësia për të fituar më shumë. Në vitin 1984 Zeise, i cili kishte tashmë 3 fëmijë (më vonë do t’i vinte edhe një i katërt), arriti të kalojë në “Börsen-Zeitung”. Fillimisht punoi në seksionin kushtuar kompanive dhe më pak në atë qendrore të gazetës, që merrej me tregjet financiare, aksionare dhe monetare. Një komunist i infiltruar në shtëpinë e armikut. Ishte ndonjë strategji sekrete? “Jo”, thotë Zeise me një shfryrje, “as e imja, as e partisë”. Si gazetar ju përkushtua një teme që e apasionon akoma sot: paratë. “Shpesh qëdronim përpara terminaleve të Reuters mbi të cilat lëviznin kuotimet, pinim duhan dhe e pyesnim: “Çfarë është para?””, kujton kolegu i tij i vjetër duke menduar për vitet e kaluara bashkë. Përgjigjen Zeise ia ka dhënë në librin e tij të dalë në vitin 2010, me titull Geld. Der vertrackte Kern des Kapitalismus (Paraja. Zemra e pakapshme e kapitalizmit). Paratë, ka shkruar ai, janë “vepër e njeriut dhe, në të njëjtën kohë, një mister”.

Kurioziteti për tregjet krijoi një lidhje midis Zeise, lexuesve dhe burimeve, midis të cilëve kishte bankierë të rëndësishëm. Prej tyre merrte informacione të dorës së parë lidhur me funksionimin e sistemit. Por për këtë duhej t’i fshihte opinionet e tij, për shembull mbi ribashkimin e Gjermanisë. Kur bisedat preknin argumentin, skërmitej dhe qëndronte i heshtur. Fundi i Republikës Demokratike Gjermane qe një goditje e rëndë për të, pasi bëri t’i venitej ëndërra e socializmit. Me mbarimin e ditës së punës, Zeise e kalonte pjesën tjetër të kohës duke shkruar për gazetat e DKP-së, përkatësisht “Unsere Zeitung” dhe “Marxistischen Blättern” (Faqe marksiste), me pseudonimet Margit Antesberger dhe Manfred Szameitat. Ato që i lexonin këto shkrime qenë shokët dhe Zyra Federake për Ruajtjen e Kushtetutës.

Artikujt e firmosur me një pseudonim nuk qenë ndryshe nga ato të firmosura me emrin e tij të vërtetë: në të dyja rastet, në qendër të vëmendjes qenë lëvizjet e parave. U bë “një prej analistëve më të mirë të kapitalizmit”, siç e quajti ish kolegu i tij. Fakti që janë sidomos opinionistët e majtë ata që kanë një publik besnik varet edhe nga “gropat” e korrentit ekonomik dominues. Në teorinë neoklasike, para është vetëm një mjet shkëmbimi në tregjet të përcaktuara ekskluzivisht nga ligji i kërkesës dhe i ofertës. Nuk pyetet sesi paraja ka ardhur në këtë botë dhe se çfarë rreziqesh fshehin lëvizjet spekulative të kapitalit. Është ky motivi kryesor për të cilin edhe ekonomistët më të afirmuar nuk e kanë parashikuar krizën financiare të vitit 2008. Në mënyrë banale nuk përfshihej nga modelet e tyre, të largët nga bota reale.

Ariu financiar

Në vitin 1999, kur tashmë ishte 55 vjeçar, Zeise hyri në “Financial Times Deutschland”, që sapo kishte lindur dhe do të mbyllej në 2012. Ende sot është një vlerësues i “Financial Times” londinez. Ish kolegët e tij e “Financial Times Deutschland” flasin mirë për të. Stefanie Burgmaier, që në atë kohë ndante me Zeise zyrën në Frankfurt dhe sot drejton grupin editorial “Springer Fachmedien Wiesbaden”, e gjente “kompetent dhetë pëlqyeshëm. Ishte skeptik lidhur me tregun financiar, në zhargonin bursist është ari. Me krizën do të bëhet akoma edhe më shumë”. Dirk Benninghof, një koleg i “Financial Times Deutschland”, sot kryeredaktor i agjencisë së shtypit “FischerAppelt” në Berlin, ka një opinion të ngjashëm: “Ishte inteligjent dhe i rezervuar. Nuk ishte shitës tymi”, thotë ai. Ama pyet: “Pse një komunist duhej të punonte në një gazetë liberale? Është sikur dikush që urren futbollin të donte të shkruante për kampionatin gjerman”.

Zeise nuk e gjen veten tek krahasimi. “Nuk e urrej ekonominë, thjesht refuzoj kapitalizmin, domethënë formën me të cilin ai është organizuar. Ekonomia është e rëndësishme. Është vetë zemra e shoqërisë tonë dhe interesi im për të është autentik”. Është ky motivi për të cilin vazhdon të shkruajë. Për një periudhë ka qenë kryeredaktor i gazetës komuniste “Uz” në Essen, ku është ndeshur më të njëjtat probleme. “Gjetja e autorëve të zot është e vështirë”. Ndërkohë ia ka lënë vendin një pasuesi më të ri dhe “shumë të aftë”. Tani po shkruan një libër të titulluar Das Finanzkapital (Kapitali financiar), që do të dalë në pranverë. Mbetet për të pyetur se pse i ka qëndruar besnik DKP-së edhe pas shembjes së Republikës Demokratike Gjermane, kur pjesa më e madhe e shokëve e lanë partinë. “Nuk kam hyrë që ta bëja pjesë të Republikës Demokratike Gjermane, por sepse doja të abrogoja kapitalizmin. Dhe e dua akoma”. Ndoshta ka edhe një motiv tjetër, më romantik: i kishte ardhur në majë të hundës fshehja e një marrëdhënieje të vjetër të mbajtur sekret kaq gjatë.

Biografia

◆ 1944 Lind në Bavari të Gjermanisë.

◆ 1968 Ndërsa studion në Universitetin e Edimburgut afrohet me teoritë marksiste.

◆ 1973 Hyn në Partinë Komuniste Gjermane.

◆ 1984 Nis të punojë për “Börsen-Zeitung”, një prej gazetave kryesore financiare gjermane.

(Jens Bergmann për Brand Eins)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

evn