Deri sa të tjerë protestojnë integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, nxënësit kanë menduar plotësimin e dëshirave të tyre.

Klubi shkollor i Kryqit të Kuq të Shkollës së Mesme “Cvetan Dimov”, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Maqedonisë, Shoqatën për Fëmijë me Nevoja të Veçanta “Dua Ylberin” dhe “Marketin Saraj”, finalizuan aktivitetin “Lulja e Bajramit”, duke ndarë dhurata për 36 fëmijë me nevoja të veçanta, me qëllim që të sjellin gëzimin tek ata për festën e Fiter Bajramit.

“Lulja e Bajramit” ka të bëjë me një dru i cili është i formuar prej disa luleve, në të cilat lule 36 fëmijët kanë shkruar dëshirat e veta dhe më pas qytetarët sipas vullnetit të tyre i kanë realizuar ato ëndrra të atyre fëmijëve dhe më pas ato u shpërndanë”,- tha kryetarja e klubit shkollor të Kryqit të Kuq në Sh. M. “Cvetan Dimov”, Njomza Ajdini.

“Ky aktivitet është bërë për fëmijët që kanë nevoja të posaçme dhe ishte qëllimi që ata t’i gëzojmë në këtë festë të madhe”,- theksoi aktivistja, Ezana Idrizi.

“Ju e patë se ka me karroca, ka me hiperaktivitet, por që të gjithë në momente të caktuara mundet të jenë pjesë e një shoqërie, pjesë e një grupacioni të cilët i pranojnë, në qoftë se ne u japim dashuri, ata e ndjejnë si të tillë dhe gjithsesi se janë pjesë integruese e shoqërisë”,-deklaroi psikologia, Edlira Destani, nga Shoqata “Dua ylberin”.

Projekti “Lulja e Bajramit” realizohet për dy vite me radhë nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë.