Prindërit e sotëm kanë një zell të jashtëzakonshëm për të mbrojtur fëmijët e tyre nga emocionet negative dhe bëjnë çdo gjë vetëm që fëmija të mos mërzitet. Rezultati i gjthë këtij mundimi është ndërtim i një fëmije pa vetëbesim. “Qëndrimi prindëror ka ndryshuar shumë” shprehet Gwyneth Penman, eksperte edukimi. “ Prindërit e sotëm duan të jenë më afër me fëmijët sesa kanë qënë prindërit e dikurshëm, por ky intimitet po sjell role të papërshtatshme ku duket sikur lumturia e fëmijës është tashmë përgjegjësia e prindit”. “Në mënyrë të çuditshme, prindërit e perceptojnë lumturinë e fëmijëve si suksesin e tyre”.

Në fakt, nëse prindi përpiqet të shmangë çdo mërzitje të fëmijës, ai nuk po kryen detyrën e tij si prind. Studimet tregojnë se privimi nga shumëllojshmëria e emocioneve është e dëmshme. Fëmijët që nuk mësohen me shprehjen e emocioneve të ndryshme janë më të prirur të përfshihen në sjellje devijante në adoleshencë.
Ndjenjat negative si inati dhe merzija janë shmangur gjithmonë nga prindërit. Dikur përdoreshin ndëshkimet fizike për të pushuar të qarat apo ankesat e një fëmije. Sot ofrohen aktivitete dhe të mira materiale për të pushuar mërzitjen dhe nervozizmmin e një fëmije. Thelbi është që prindërit, pavarësisht mënyrave të sjelljes, kanë tendencë të mos e lejojnë fëmijën të ndjehet keq. Sigurisht është një progres shumë i mirë që është ulur dhuna ndaj fëmijëve, por duket sikur prindërimi ka kaluar në ekstremin tjetër ku autoriteti i prindit sa vjen e zbehet. Penman vë re se prindërit sot lejojnë tu ndërpritet fjala nga fëmija. Ata nuk i venë dot fëmijët të veshin këpucët dhe madje s’kanë çfarë tu bëjnë nëse nuk duan të shkojnë në shkollë.

Kjo duhet të ndryshojë. Prindërit duhet të mësohen që fëmijët do qajnë, do mërziten, do kundërshtojnë dhe do frustrohen që të mësohen dhe të edukohen. “ Prindërit në ditët e sotme ndjejnë një presion të madh për të qënë prindër të mirë” thotë Linsday Barton, psikoterapiste. “Ata heqin shumë gjëra nga lista e jetës së tyre vetëm që të mbajnë fëmijën gjithë kohës në argëtim, por fëmijët duhet të mësojnë se argëtimi ka fund dhe duhet të mësojnë që të vegjël se nuk ka gëzim dhe kënaqsi pa mërzitje.

Përgatiti: Elona Çeço
Referenca: Jason McBride