Ish kryeministri Lubço Gjorgjievski ka tensionuar emocionet në opinionin maqedonas dhe raportet mes dy partive më të mëdha, LSDM dhe VMRO-DPMNE, pas një shkrimi në profilin e tij ku propozon zgjidhje për kontestin me Bullgarinë. Gjorgjievski mes tjerash propozon që parlamenti bullgar të miratojë rezolutë ku do ta njeh gjuhën maqedonase por të krijuar pas vitit 1994, ndërsa në shumë pjesë ai e quan si gjuhë të njëjtë me atë bullgare.

Partia më e madhe në opozitë, VMRO-DPMNE, ka akuzuar sot se deklaratat e Gjorgjievskit janë vetëm një matje e pulsit të opinionit maqedonas dhe thonë se është inicuar nga LSDM-ja në pushtet.

“Zoran Zaev mbrëmë përmes Lupço Gjorgjievskit lëshoi një ballon provues në opinion dhe porosity se gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar në korespodencat e organizatave patriotike revolucionare duke mohuar drejtëpërdrejtë mëvetësinë e gjuhës maqedonase, si dhe veçurinë e popullit maqedonas. Zaev dëshiron ti tjetërsojë të gjithë ideatorët dhe revolucionerët maqedonas dhe ata t’i bëjë bullgarë”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, nga LSDM janë distancuar nga qëndrimet e Gjorgjievskit duke thënë se pikëpamjet e tij nuk përputhen as për së afërmi me ata të partisë në pushtet.

“LSDM mbetet në pozicionet e qarta dhe tanimë të njohura rreth kësaj çështje. Mbetemi të hapur për dialog për gjetje të zgjidhjes megjithatë përsëris edhe një herë se gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonasnuk janë tema për bisedime. As nuk është biseduar dhe as në të ardhmen nuk do të bisedohet për këtë temë. Qëndrimet e zotëri Lubço Gjorgjievskit janë qëndrimet e tij personale me të cilat nuk kemi asnjë pikë të përbashkët”, deklaroi Marija Georgievska.

Këto deklarata vijnë në një kohë, kur dy vendet bëjnë përpjekje për tejkalimin e kontestit që u bë shkak për vendosjen e vetos bullgare në hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Pala bullgare konteston gjuhën dhe historinë maqedonase duke kërkuar që Maqedonia e Veriut të pranojë prejardhjen bullgare.