LVV dhe LDK do të intensifikojnë takimet për arritjen e marrëveshjes finale

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, as sot nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Marketing

Më shumë se një orë ka zgjatur takimi në mes liderit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa, e krejt çka të dy ata janë marrë vesh është intensifikimi i takimeve deri në arritjen e marrëveshjes finale.

Pas përfundimit të takimit, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, ka thënë se të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim.

“Takimi në mes të dy liderëve të LDK-së dhe të VV-së që ka filluar në orën 17.00 tanimë ka përfunduar, të dy liderët z.Mustafa dhe z.Kurti janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të dy partive tona”, tha ai.

Mustafa nuk ka dhënë detaje nëse mos pajtimet kanë të bëjnë për ndarjen e postit të presidentit për të cilin insiston LDK.

“Këto janë informatat e vetme që kam nga dy liderët, kaq jam i autorizuar t’iu informoj sot. Besoj që shumë shpejt, nëse jo nesër, pasnesër apo në momentin e parë që lejon agjenda e dy liderëve. Por, siç thash jemi pajtuar që t’i intensifikojmë takimet pothuajse çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, tha ai.

Kujtojmë se të dy partitë nuk janë takuar që nga e hëna e javës së kaluar, kur edhe kishin filluar deklarimet se LDK po insiston të marrë postin e presidentit, për të cilën nuk po pajtohet Lëvizja Vetëvendosja.

Ndryshe, sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, e ka thirrur mbledhjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës për datën 24 dhjetor.

Marketing