Majk Pompeo në Mal të Zi

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka arritur në Mal të Zi, ku është takuar presidentin e këtij vendi, Millo Gjukanoviq.

Marketing

Sekretari Pompeo po ashtu u takua edhe me kryeministrin Dushko Markoviq.

Më vonë gjatë ditës, Pompeo po ashtu do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut.

Mali i Zi është anëtari më i ri i NATO-s. Ky vend u anëtarësua në aleancën veriatlantike në qershorin e vitit 2017, pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se sekretari Pompeo gjatë vizitave të tij, do të diskutojë për “përpjekjet ruse për të nxitur përçarje” në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

“Është në dorën e këtyre shteteve sovrane dhe të pavarura, si dhe njerëzve të tyre, që të marrin vendime në drejtimin që duan të shkojnë dhe vendimi i tyre për t’u anëtarësuar në NATO, mendoj se ka qenë i rëndësishëm për ta”, ka thënë ky zyrtar.

Zyrtari amerikan ka përmendur edhe përpjekjen për puç më 2016 në Mal të Zi, që kishte për qëllim të ndalte planet e Podgoricës për t’u anëtarësuar në NATO.

Një gjykatë malazeze lidhur me këtë ngjarje ka dënuar politikanë opozitarë.

Rusia gjithashtu është përpjekur që të nxiste përçarje lidhur me marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, lidhur me kontestin e emrit, që sipas këtij zyrtari amerikan, i hap rrugën Shkupit që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.