Ministri i Diasporës dhe ish-kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko, mendon se ideja për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është një dëshirë e Beogradit për të ngritur tension në rajon, si një diplomaci verifikuese, falë edhe mbështetjes ruse.

Ai, siç thotë, i referehoet historisë “profesion i Serbisë është të shkaktojë destabilizim”.

“Serbët njihen kur duan destabilitet. Ky është një ‘profesion’ që historia e dëshmon. Por, aktualisht ekziston vec një dëshirë e Beogradit zyrtar për të ngritur tensionin në rajon si një diplomaci verifikuese. Si ish-ministër Mbrojtjeje, asnjë ushtarak nuk do ta këshilloja ndërhyrjen e Beogradit në Kosovë”, ka shkruar Majko në profilin e tij në Fejsbuk.

Sipas tij, është kohë që të reagojnë të gjithë pasi efekti rus në Ballkan mund të sjellë një krizë të vërtetë, pasi sipas ministrit, Rusia nuk bën biznes, por preferon shahun.

“Evropa njihet për mungesën e aksionit, por jo të reagimit. Ndërhyrja e Serbisë në Kosovë do të prodhonte një efekt domino, i cili do të sillte ndërhyrjen e fuqive të mëdha. Kjo ndërhyrje nuk gjen shpjegim me historinë e konfliktit të Egjiptit me Izraelin”, vlerëson mes tjerash Majko.

Ai shton se nëse Beogradi dëshiron të korrigjojë statusin e vet rajonal ka një rrugë tjetër, e cila nuk kalon nga armiqësia me shqiptarët apo ndarjet etnike.